Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç pranon se Serbia ka gabuar me votimin pro rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që rikonfirmon mbështetje për Ukrainën dhe integritetin e saj territorial.
Në një intervistë për mediat serbe, Vuçiç tha se ai vetë është përgjegjës për këtë vendim dhe u kërkoi falje qytetarëve të Serbisë, duke e pranuar gabimin e bërë.
“Serbia ka bërë një gabim, për këtë u kërkoj falje qytetarëve dhe fajin e kam vetë, sepse ndoshta jam i lodhur dhe i rënduar dhe nuk mund t’i bëj të gjitha vetë”, tha Vuçiç.
Ai theksoi se vendimi për të mbështetur rezolutën e Bashkimit Evropian dhe Ukrainës ishte një veprim që Serbia nuk duhet të kishte bërë, dhe e pranoi se këtë nuk mund ta justifikonte përveç se me lodhjen dhe mangësitë në menaxhimin e politikave të jashtme.
Rezoluta e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka kërkuar tërheqjen e trupave ruse nga territori i Ukrainës dhe ka etiketuar Rusinë si shtet agresor.
Votimi ka pasuar një mbështetje të fortë nga shumica e vendeve të Bashkimit Evropian dhe aleatëve të Ukrainës, duke marrë 93 vota pro.