Parlamenti italian ka miratuar përfundimisht reformën e aksesit në kurset e diplomës në Mjekësi dhe Kirurgji. Ligji i miratuar me 149 vota pro dhe 63 kundër, eliminon testet që i paraprinë regjistrimit.
Pritet që regjistrimet në vitin e parë të Mjekësisë, Stomatologjisë dhe Veterinarisë të jenë të lira, pa test pranues. Procesi i përzgjedhjes zhvillohet në fund të semestrit të parë të studimeve, pas një sërë provimesh.
Kush do të mund të vazhdojë me vitin e dytë
Lajmi ka të bëjë me universitetet shtetërore. Këtu vetëm studentët që kalojnë procesin e përzgjedhjes, bazuar në një sërë provimesh gjatë semestrit, do të mund të vazhdojnë në vitin e dytë. Për të hyrë në vitet në vijim, do të jetë e nevojshme të merret një pikë e dobishme në një renditje të vetme kombëtare. Detajet do të sqarohen në dekretet në zbatim.
Partia Demokratike: Bllof në dëm të universiteteve
Gjatë debatit në Dhomën e Deputetëve, opozita, me PD-në në krye vuri gishtin te “bllofi në dëm të universiteteve, studentëve dhe familjeve të tyre”, sepse “numri i kufizuar i vendeve në mjekësi nuk po shfuqizohet”.
Nga maxhoranca, IHD theksoi “pikën e kthesës” të arritur nga Parlamenti: “Sot i dhamë fund një sistemi të padrejtë që për një kohë të gjatë ka privilegjuar fatin mbi meritën e vërtetë”.
Ministrja Bernini: Më në fund po e kapërcejmë numrin e kufizuar
Ministrja e Universitetit dhe Kërkimit, Anna Maria Bernini shpreh kënaqësinë. “Më në fund – komenton ajo – Mjekësia kthen faqen: kapërcejmë numrin e kufizuar dhe i themi lamtumirë testeve pranuese që prej shumë kohësh kanë shuar ëndrrat dhe ambiciet e shumë të rinjve. Universiteti nuk paraqitet më me formulimin urrejtës ‘numër i kufizuar’, por hap dyert për të trajnuar ata që duan të bëhen mjekë”.
“Le të arkivojmë testet e hyrjes; le t’i themi mjaft kurseve përgatitore private dhe të shtrenjta që kanë kushtëzuar hyrjen në Mjekësi në bazë të të ardhurave dhe jo meritës; le t’i japim fund fenomenit të urryer të emigrimit të djemve dhe vajzave që në vend se të ndiqnin vokacionin e tyre për t’u bërë mjekë janë detyruar të ikin jashtë sepse u refuzuan nga testet opake dhe jokualifikuese”, shton Bernini.
“Me reformën, 30 mijë mjekë më shumë në 7 vjet”
“Kjo reformë është një revolucion i vërtetë që vendos nevojat e studentëve në qendër dhe gjithashtu i përgjigjet mungesës së bluzave të bardha: në 7 vjet universitetet italiane do të trajnojnë 30 mijë mjekë të tjerë, të mbështetur nga burime më të mëdha financiare. Një investim që forcon sistemin tonë shëndetësor dhe vazhdon të garantojë një trajnim të shkëlqyer”, përfundon joi.
Pikat kryesore të reformës: regjistrimi falas në semestrin e parë me programe uniforme dhe lëndë kualifikuese; renditja kombëtare pas semestrit të parë bazuar në kreditet e formimit të marra nëpërmjet provimeve universitare me mundësinë e njohjes së krediteve për kurse të tjera formimi në fushën e shëndetësisë.
Zgjedhja e vendndodhjes bazuar në renditjen kombëtare, preferencën e studentëve dhe disponueshmërinë e vendeve në universitet.