Profesori universitar Milazim Krasniqi, duke komentuar vizitën e djeshme në Prishtinë të të dërguarit të ri të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen, vuri theksin te deklarata e këtij diplomati “dialogu është pikërisht për kompromise”.
Në intervistë për Ekonomia Online, profesor Krasniqi nënvizoi se plani franko-gjerman dhe aneksi i Ohrit nuk janë kompromis, por kapitullim përballë presionit ndërkombëtar. Ai po ashtu kritikoi qasjen e BE-së, duke vlerësuar se Kosova trajtohet e pabarabartë në dialog.
“Është një rifillim që tani për tani është vështirë të prognozohet se a do të ketë sukses për arsye se përvoja është e hidhur. E para: Bashkimi Evropian nuk e trajton si palë të barabartë Kosovën si Serbinë dhe e dyta është plani franko-gjerman dhe aneksi i Ohrit që faktikisht formon autonominë e veriut në Kosovë. Kështu që varet prej çfarë baze do të niset ai. Ajo që deklaroi sot që tha se është një fillim i mirë, ai është diplomat, ajo çka tha deri tani nuk do të thotë asgjë. Pritet se si do të zhvillohet dinamika për të ardhmen, duke pasur parasysh edhe krizën e madhe në Serbi, por edhe krizën e madhe në qeverisjen në Kosovë. T’i kërkohet një shteti të pavarur kompromis kjo do të thotë se i kërkohet diçka që e cenon sovranitetin. Plani franko-gjerman dhe aneksi i Ohrit realisht e kërcënojnë sovranitetin e Kosovës dhe nuk është kompromis, por është kapitullim përballë presionit që ka bërë komuniteti ndërkombëtar.”
Krasniqi shprehu skepticizëm për rolin e BE-së, duke theksuar se pa përfshirjen e SHBA-së, zgjidhja është e pamundur.
“Nga përvoja e deritashme jam i bindur që Bashkimi Evropian as nuk ka kapacitete e as vullnet për ta zgjidhur problemin pa ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo çështje nuk mund të përmbyllet, kështu që mbetet të shihen politikat amerikane se në çfarë drejtimi do të shkojnë. Tani për tani nuk ka indikacione që do të ketë angazhim të SHBA-së dhe deri më tani do të ketë riciklim të takimeve dhe vizitave dhe është e pabesueshme se do të ketë zgjidhje.”
Sipas tij, sanksionet e BE-së ndaj Kosovës nuk do të hiqen pa një qeveri të re dhe nëse Albin Kurti mbetet kryeministër, presioni ndërkombëtar ndaj tij vetëm do të shtohet.
“Pa u formuar Qeveria e Kosovës nuk besoj që do të hiqen masat dhe pa u pa drejtimi i saj, jam i bindur që jo. Nëse Kurti mbetet kryeministër është e sigurt që sanksionet jo vetëm që nuk hiqen, por presioni dhe zëri ndërkombëtar do të shtohet, sepse ata pothuajse e paragjykojnë në mënyrë konsensuale qëllimin politik të Kurtit”, shtoi profesor Krasniqi.
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, që nga marrja e detyrës ka vizituar për herë të parë Kosovën. Ai paralajmëroi se vizita e radhës do të jetë në Serbi.