Një person me inicialet Z.V. është arrestuar në flagrancë nën dyshimin se ka kryer veprat penale “Fajdeja” dhe “Detyrimi”.
Prokuroria thotë se “i pandehuri Z.V., që nga data 01.03.2025 deri me datë 19.03.2025 e në vazhdimësi, në Prizren, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, kontrakton një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit E.H., në atë mënyrë që i dëmtuari me datë 01.03.2025 kishte huazuar nga i pandehuri një shumë të caktuar parash, me afat të kthimit prej tre-katër ditësh”.
Prokuroria po ashtu tha se i dëmtuari duke qenë në gjendje të rëndë financiare nuk kishte arritur t’ia kthejë shumën e parave, duke kërkuar nga i pandehuri edhe dy ditë shtesë për kthimin e borxhit, ku i dëmtuari pas një jave ia kthen të hollat duke ia dhënë të dëmtuarit shumën e caktuar në emër të kamatës.
Pastaj, i pandehuri, thotë prokuroria, pas një jave, në vazhdimësi përmes rrjeteve sociale i bën presione të vazhdueshme të dëmtuarit, duke e kanosur me qëllim të detyrimit të të dëmtuarit që të veprojë në dëm të pasurisë së tij, duke i kërkuar shuma të tjera të parave në emër të kamatës.
I pandehuri me datë 20.03.2025 takohet me të dëmtuarin nga i cili pranon shumën e caktuar në emër të kamatës dhe arrestohet në flagrancë nga policia.
Për të pandehurin e arrestuar, prokuroria ka parashtruar kërkesë për caktim të masës së paraburgimit.
“Prokuroria Themelore në Prizren vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin”