Kryetari i PDK’së, Memli Krasniqi, ka njoftuar se është takuar me një delegacion të deputetëve të Kuvendit të Francës.
“Sot, në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës, pata kënaqësinë të mirëpres një delegacion të deputetëve të Kuvendit të Francës: znj. Marine Hamelet nga Rassemblement National (RN), z. Frédéric Petit nga Groupe Démocrate (MODEM), z. Pierre Pribetich nga Parti Socialiste (PS), dhe z. Jean-Louis Roumégas nga Groupe Écologiste et Social, të shoqëruar nga Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot.”
Ai ka thënë se ka shprehur mirënjohje të thellë për “mbështetjen e palëkundur” të Francës ndaj Kosovës.
“U shpreha mirënjohjen time të thellë, si dhe të PDK-së, për mbështetjen e palëkundur që Franca i ka dhënë Kosovës gjatë gjithë këtyre viteve, dhe që vazhdon të ofrojë edhe sot, në përpjekjet tona për integrim evropian.”
Krasniqi ka theksuar nevojën urgjente për formimin e institucioneve.
“Në lidhje me zhvillimet e fundit politike në vend, ritheksova nevojën urgjente për formimin e institucioneve tona të reja, funksionale dhe demokratike. Kosova ka nevojë për një qeveri që do të jetë në shërbim të qytetarëve të saj, duke adresuar me prioritet çështjet që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve, si kostoja e lartë e jetesës, zhvillimi ekonomik dhe integrimi euroatlantik.”Ai ka thënë se është e rëndësishme që t’i hiqen Kosovës masat ndëshkuese dhe ka kërkuar mbështetje për anëtarësimin në BE.
“Në këtë kontekst, theksova rëndësinë që Kosovës t’i hiqen masat ndëshkuese të vendosura nga partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilat po rëndojnë edhe më shumë mirëqenien e qytetarëve dhe situatën ekonomike në vend. Nga miqtë tanë francezë kërkova mbështetje të vazhdueshme edhe për avancimin e kandidaturës sonë për anëtarësim në BE, si dhe për inkurajimin e shteteve mosnjohëse që të njohin pavarësinë e Kosovës. Rruga jonë është drejt Evropës – bashkë me aleatët tanë dhe për qytetarët tanë.”