​A e ka arritur LVV-ja numrin prej 61 deputetëve për formimin e qeverisë?

by Nexhat

Dy ditë para mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit, partia fituese në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka dhënë indikacione se ka shumicën parlamentare prej 61 deputetëve për formimin e qeverisë së re, thonë analistët politikë.

Sipas tyre, përveç deklaratave politike, nuk ka asnjë dëshmi se partia e Albin Kurtit ka arritur ndonjë koalicion me partitë shqiptare dhe komunitetet jo shumicë. Në anën tjetër, nga partia Guxo, pjesë e listës së përbashkët zgjedhore të LVV-së thonë se ky koalicion do të formojë qeverinë e ardhshme.

banner

Mirëpo, ata potencojnë rrezikun, që sipas tyre, Serbia po tenton të ndërhyjë te deputetë të caktuar të komuniteteve jo shumicë për të krijuar vakum në formimin e institucioneve të reja.

Një gjë të tillë nuk pranon ta komentojë për KosovaPress deputeti i zgjedhur nga komuniteti egjiptian Veton Berisha. Megjithatë, ai thotë se është në pritje të një ftese të dytë nga lideri i LVV-së, për të diskutuar rreth kërkesave të tij

Në zgjedhjet parlamentare të shkurtit, Vetëvendosje ka dalë e para me 42.30 për qind të votave, rrjedhimisht do t’i ketë 48 deputetë. PDK-ja është e dyta me 20.95 për qind, përkatësisht 24 deputetë, LDK-ja e treta me 18.27 për qind apo 20 deputetë dhe koalicioni AAK-Nisma 7.06 për qind, respektivisht 8 deputetë.

Ulëse në Kuvend kanë fituar 10 deputetë nga minoritetet jo serbe, ndërkaq, serbëve u takojnë gjithashtu 10 ulëse. Sipas rezultateve, një ulëse e ka fituar politikani serb dhe ministri në detyrë në Qeverinë Kurti 2, Nenad Rashiq dhe 9 ulëse Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë e cila financohet nga Beogradi.

Këto rezultate sipas politologut, Arton Muhaxhiri, e determinojnë nevojën e arritjes së një koalicioni qeverisës mes partive shqiptare

Pas refuzimit të LDK-së për konsulta për formimin e qeverisë së re, Muhaxhiri thotë për KosovaPress se Lëvizjes Vetëvendosje e vetmja rrugë i mbetet dakordimi me tre deputetët e Nismës dhe përmbushja e kërkesave të komuniteteve jo shumicë. Mirëpo, ai shton se deri më tani nuk ka asnjë shenjë se Kurti mund ta arrijë një gjë të tillë.

“S’ka koalicion dhe s’ka një dëshmi se kryeministri Kurti i ka 61 deputetë. Mirëpo, opsioni i vetëm është që t’i arrijë këto vota me Nismën. Me PDK-në, LDK-në dhe AAK-në, i ka shembur urat e bashkëpunimit, prandaj nëse eventualisht formohet qeveria të martën, atëherë kjo do të bëhet vetëm me një koalicion të LVV-së dhe Nismës dhe pakicës.

Por ekziston mundësia që njëherë të zgjidhet kryeparlamentari dhe pastaj të shfrytëzohet hapësira e nevojshme nëse kryeministri Kurti ka nevojë për të… Është e pamundshme që kryeministri Kurti të krijojë një qeveri të re dhe stabile. S’ka potencial dhe mundësi realiste për ta bërë këtë. Në fakt, ai përveç, një kompromisi të madh që mund ta bëjë me Nismën, asnjë mundësi tjetër nuk e ka që të qëndrojë në pushtet. PDK, LDK dhe AAK në asnjë mënyrë nuk po dëshirojnë që të bashkëpunojnë me të. Prandaj, e vetmja rrugë është bashkëpunimi me Nismën ose kalimi në opozitë”, deklaron ai

Deputeti i zgjedhur nga radhët e Guxo, pjesë e listës së LVV-së, Haxhi Avdyli, thotë për KosovaPress se qeveria e ardhshme do të formohet nga LVV-ja, por pa treguar se me kënd do të jenë në koalicion qeverisës

Sipas tij, komunitetet jo shumicë në Kosovë, veçmas ato jo serbe duhet të tregojnë shembullin e mirë të respektimit të shtetit sikurse në të kaluarën.

Megjithëse nuk pranon të komentojë se kush prej deputetëve jo shumicë është kontaktuar nga Serbia, siç është thënë javën e kaluar në një komunikatë nga Qeveria e Kosovës pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, ai thotë se Serbia është interesuar për vakum në krijimin e institucioneve.

Ai, po ashtu, thotë se fqinji verior i Kosovës është i interesuar edhe për një lidership të dobët për të rritur interesin politik dhe ekonomik.

Sidoqoftë, ai shton se kërkesat nga komunitetet jo serbe, veçmas nga deputetët nga komuniteti boshnjak janë legjitime dhe duhet të respektohen, dhe në kuadër të Kushtetutës dhe ligjeve të gjendet një zgjidhje.

“Serbia është shumë e interesuar për destabilizimin e situatës në Kosovë. Është e interesuar për krijimin e vakumeve institucionale. Është e interesuar për udhëheqësi të dobët në Kosovë që të rrisë interesin ekonomik dhe politik. Gjithsesi, ne i dimë qëllimet e Serbisë dhe mendoj se në këtë drejtim ne jemi një hap para tyre. Nuk besoj se Serbia do të mund të arrijë qëllimin në bllokimin e krijimit të institucioneve dhe krijimin e krizës institucionale. Ndërsa, për partitë e pakicave jo serbe mendoj se kanë qenë akterë pozitivë edhe në historinë e Kosovës dhe qeveritë e kaluara dhe qeverinë Kurti 2.

Kanë dhënë një shembull të mirë të respektimit të shtetit, Kushtetutës dhe janë njerëz të respektuar nga ana jonë. Besoj se edhe Kurti ka treguar mundësinë që ka Kosova për t’i ofruar për ata. Mendoj se në këtë drejtim jemi gati të pajtuar dhe ata janë shumë pro vazhdimit të punëve të mira të qeverisë Kurti. Diskutimet, të cilat kanë dalë nga Duda Balje apo Rasim Demiri dhe Emilia (Rexhepi) janë kërkesa legjitime që ne i respektojmë. Në kuadër të Kushtetutës dhe ligjeve tona, ne do të mundohemi të gjejmë zgjidhje për të gjitha kërkesat”, thekson Muhaxhiri.

Përkitazi me këtë, analisti politik Arton Muhaxhiri thotë se akuzat ndaj deputetes së zgjedhur nga komuniteti boshnjak Duda Balje, janë vetëm një populizëm dhe në momentin e përafrimit të saj me LVV-në, ankesat dhe fajësimet ndaj saj do të zhduken.

“Sa i përket ankesave ndaj zonjës Balje, unë mendoj se këto janë vetëm një populizëm dhe se s’ka asnjë fakt konkret. Është vetëm një arsyetim për mos arritjen e marrëveshjes me të dhe tentim të njollosjes e stigmatizimit politik të saj. Por, në momentin që zonja Balje do të përafrohet me kryeministrin Kurti, atëherë të gjitha këto ankesa dhe fajësime do të zhduken. Kjo ka ndodhur në të kaluarën”, thekson Muhaxhiri.

Pas takimit me liderin e LVV-së, njëherësh kryeministrin në detyrë Albin Kurti, deputetja e zgjedhur nga komuniteti boshnjak Duda Balje ka paraqitur disa kushte për votimin e qeverisë së re. Ajo e ka konsideruar të nevojshme formimin e një komune të re boshnjake në Kosovë.

Për këto çështje dhe pozicionin e saj politik, KosovaPress ka kontaktuar deputeten Balje, por e njëjta nuk ka kthyer përgjigje

Krahas kësaj edhe deputeti i zgjedhur nga komuniteti egjiptian Veton Berisha ka paraqitur disa kërkesa karshi Kurtit për formimin e qeverisë së re, mes tjerash edhe marrja e përgjegjësisë në kabinetin qeveritar.

Berisha thotë për KosovaPress se janë në pritje të një ftese tjetër nga Kurti për të diskutuar mbi formimin e qeverisë së re, para mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit.

“Po e presim ftesën e takimit të dytë që ne e kemi lënë nga takimi i parë. Po e presim ftesën për takim… S’kemi pasur takim dhe s’ka ndonjë gjë më shumë sesa takimi i parë… Ne kemi diskutuar, kemi dhënë hapësirën dhe mundësinë. Jemi të gatshëm për bashkëpunim, s’kemi asnjë pengesë, por kemi kërkesat tona që duhet diskutuar… S’kam asnjë koment”, tha ai.

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës mbahet më 15 prill. Për përgatitjen e kësaj seance është mbajtur një takim këtë javë nga kryetari i Kuvendit në detyrë Glauk Konjufca me liderët e partive politike. Të enjten dhe të premten, deputetët e zgjedhur të legjislaturës së nëntë janë regjistruar në ambientet e Kuvendit.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy