Pentagoni ka shkarkuar Kolonelen Susan Myers, komandante e bazës së Forcës Hapësinore të SHBA në Pituffik, Groenlandë, pas komenteve të saj kritike ndaj deklaratave të Zëvendëspresidentit JD Vance gjatë një vizite të fundit në bazë.
Vendimi për shkarkimin e saj u bë publik të enjten vonë dhe vjen pas publikimit të një emaili të brendshëm në të cilin Myers vë në dyshim pretendimet e Vance mbi kërcënimet e huaja ndaj Groenlandës. Vance kishte akuzuar Danimarkën për “dështim në mbrojtjen e Groenlandës nga hyrje shumë agresive nga Rusia, Kina dhe kombe të tjera,” pa dhënë detaje konkrete.
“Nuk pretendoj të kuptoj politikën aktuale, por ajo që di është se shqetësimet e administratës së SHBA-së të diskutuara nga Zëvendëspresidenti Vance nuk pasqyrojnë realitetin në Bazën Hapësinore Pituffik,” kishte shkruar Myers, sipas raportimit të faqes së specializuar military.com.
Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, deklaroi në platformën X se Myers u shkarkua për “humbje të besimit dhe sigurisë,” duke shtuar se “veprimet që minojnë zinxhirin e komandës ose agjendën e Presidentit Trump nuk do të tolerohen në Departamentin e Mbrojtjes.”
Kolonelja Myers nuk ka dhënë ende një koment publik mbi shkarkimin e saj, ndërsa Reuters raportoi se nuk ka arritur të sigurojë një përgjigje prej saj.
Ky është vetëm një ndër disa shkarkime të bujshme që nga rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë në janar të këtij viti. Ndër të shkarkuarit janë përfshirë edhe Kryetari i Shefave të Shtabit të Përbashkët, admirali më i lartë i Marinës, si dhe figura të larta juridike të ushtrisë amerikane. Po këtë javë, Pentagoni konfirmoi edhe shkarkimin e Nënadmirales Shoshana Chatfield, e cila mbante një post të lartë në NATO.
Zyrtarët ushtarakë në SHBA pritet të jenë të paanshëm politikisht dhe të qëndrojnë besnikë ndaj Kushtetutës. Megjithatë, valët e fundit të shkarkimeve kanë nxitur debate mbi kufijtë mes besnikërisë institucionale dhe ndikimit të politikës së brendshme në ushtri.
Presidenti Trump ka shprehur më herët interes për Groenlandën, duke e cilësuar atë si një domosdoshmëri strategjike për sigurinë kombëtare të SHBA. Ishulli mbetet territor i Danimarkës që nga viti 1721.