Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha prezantoi sot në Durrës kandidatët e “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore” për këtë qark. Gjatë fjalës së tij Berisha u ndal tek programi i PD-së për pensionistët.
Berisha tha se nuk do të ketë më pension në Shqipëri nën 200 euro, ndërsa shtoi se pensionet mbi 200 euro do të rriten 20%.Sa i takon rrogave Berisha tha “rrogat minimale do rriten nga 400 në 500 euro. Rrogat mesatare do rriten në 1200 euro. Rrogat e mësuesve do rriten në 1500 euro”.“Në 100 ditët e para, paketa e dhembshurisë do jetë ligj, do jetë në fuqi”, u shpreh Berisha.Berisha premtoi se “përveç 200 eurove minimum jetik, do kenë kartën e konsumatorit”.“Karta e konsumatorit do të thotë se rrogëulëtit, pensionistët, ata që janë në ndihmë ekonomike, të tjerët që janë të papunë, ushqimet do i marrin 20 përqind më lirë. Shteti do u kthejë atyre paratë”, tha Berisha
.Berisha u ndal edhe tek prodhimi vendas.“Shqipëria Madhështore nuk është një projekt në qoftë se ne nuk garantojmë një ekonomi të fortë. Prodhim, prodhim dhe vetëm prodhim në të katër anët e Shqipërisë. Shqipëria është vend i bekuar me rezerva të jashtëzakonshme, nëntokësore, mbitokësore, turistike dhe të gjithanshme”, tha Berisha.Berisha u shpreh më tej se “ne besojmë tek iniciativa juaj e lirë, pasuritë publike do i shndërrojmë në pasuritë tuaja”.“Taksat do i përgjysmojmë kudo, dhe më shumë se përgjysmim”, u shpreh Berisha.Berisha shtoi se “politika stimuluese, favorizuese për kthimin e shqiptarëve nga diaspora do implementohen menjëherë”.“Pesë vite pa asnjë taksë. Kredi të buta për ta. Kredi të buta për të gjitha gratë që duan të mbajnë biznese. Grante për to. Kredi të buta për të rinjtë që nisin biznesin.
Do bëjmë gjithçka që të rinjtë, ëndrrën e tyre ta ndërtojnë në Shqipëri”, tha Berisha.Sipas kryetarit të PD-së “Shqipëria Madhështore nuk ndërtohet kurrë nëse të rinjtë nuk ndërtojnë në këtë tokë ëndrrën e tyre. Shqipëria Madhështore është Shqipëria e ëndrrave të të rinjve shqiptarë”.“Shqipëria bëhet madhështore vetëm kur ajo të arrijë në madhështinë e familjes shqiptare, kur familja shqiptare të jetë një familje solide, një familje e vlerave, një familje e vizionit dhe edukatës”, u shpreh Berisha.