Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj ngjarjeve të 21 Janarit, duke shprehur mbështetje për çdo hetim që do të zhvillohet në lidhje me këtë çështje. Ndërkohë ai ka akuzuar Kryeministrin Edi Rama si organizator të asaj që ai e quan “protesta më e dhunshme” në historinë e Shqipërisë.
Në një deklaratë për mediat, Berisha ka sqaruar se, që pas ngjarjeve të vitit 2011, ka kërkuar një hetim ndërkombëtar për vrasjen e katër protestuesve të opozitës.
“Kam kërkuar hetim ndërkombëtar që në natën e 21 Janarit, dhe gjithashtu edhe gjatë ditëve në vazhdim. Po atë natë kam shprehur keqardhjen për viktimat. Hetimi i kërkuar është i nevojshëm për të zbardhur plotësisht ngjarjen dhe për të treguar të vërtetën”, tha Berisha
Berisha akuzoi Kryeministrin Rama për përgjegjësinë e organizimit të protestës. “Sipas një deklarate të qeverisë së SHBA-së, Edi Rama është publikuar si organizator i kësaj proteste, dhe unë mbështes çdo hetim që do të zbardhë përgjegjësinë”, tha ai.Kryetari i PD-së gjithashtu ka akuzuar ish-prokuroren Ina Rama për refuzimin e hetimit ndërkombëtar dhe ka nënvizuar se, pas vitit 2013, drejtësia ka qenë nën kontrollin e Edi Ramës dhe që asnjë hetim serioz nuk është bërë për të zbardhur plotësisht ngjarjen.
“Ky hetim është i nevojshëm për të hedhur dritë mbi ngjarjen dhe mbi përgjegjësinë e atyre që sollën njerëz në një protestë të tillë. Edi Rama ka përdorur këtë ngjarje tragjike për qëllime politike, duke tentuar të fshehë përgjegjësinë e atij që e organizoi”, tha Berisha