Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një takim me mbështetësit e tij në njësinë nr. 5 të kryeqytetit, ku prezantoi kandidatët e PD-së për zgjedhjet vendore të 11 majit.
Në fjalën e tij, Berisha nuk kurseu akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama, të cilin e akuzoi për abuzim me pasuritë publike dhe pasurim të paligjshëm.
“Nuk kemi pasur kurrë një pushtim që të ketë zhveshur Shqipërinë nga popullsia si ky i këtyre 10 viteve,” u shpreh Berisha, duke e krahasuar qeverisjen e Ramës me pushtimet e huaja që ka kaluar vendi në histori
Ai akuzoi Ramën se ka ndërtuar një vilë luksoze mbi një sipërfaqe toke të zaptuar, ndërkohë që të ardhurat e deklaruara nga ai ishin minimale.
“Pasardhësi i diktatorit ndërton saraje me gjatësi themelesh 57 metra, me park 5800 metra katrorë, kur kishte deklaruar vetëm 3800 euro dhe 400 mijë lekë. Dhe tani thonë që është bërë me ‘Kurbanin’, njëherë thonë me para të ardhura nga emigracioni. Ua vodhi shqiptarëve,” tha ai.
Berisha e përshkroi Ramën si “armik të brendshëm” të shqiptarëve, duke bërë një krahasim me deklaratat e ish-presidentit amerikan Donald Trump, i cili sipas tij kishte paralajmëruar për rrezikun që përbën armiku i brendshëm krahasuar me fuqitë botërore.
Takimi ishte pjesë e fushatës zgjedhore të Partisë Demokratike në prag të zgjedhjeve të 11 majit, në të cilat Berisha po kërkon të mobilizojë bazën e tij përballë mazhorancës socialiste