Mimoza Kusari Lila, shefe e grupit parlamentar të LVV-së në legjislaturën e kaluar, thotë se mospjesmarrja në votimin për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit “konsiderohet shkelje” e Kushtetutës.
Ajo publikoi një pjesë të një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese që sipas saj thotë se deputetët duhet të votojnë.
“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në Rastin Nr. KO119/14, pika 128 thotë se “Në konstituimin e Kuvendit, të gjithë deputetët duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë si të dëshirojnë, në mënyrë të hapur ose të fshehtë, të votojnë “për”, “kundër” ose të abstenojnë, dhe nuk mund të lirohen nga të vepruarit kështu”, shkroi Kusari Lila.
“Dje në pikën për zgjedhjen e Kryetares së Kuvendit, kishte deputetë që nuk morën pjesë fare në votim. Mosvotimi sipas këtij Akgjykimi konsiderohet shkelje”, shkroi ajo
Ky veprim, ajo tha se “nuk mund të përsëritet nesër gjatë vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit”.
Albulena Haxhiu u propozua dje nga Lëvizja Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit. Në dy tentativa, ajo mori 57 vota, duke dështuar të zgjidhet kryeparlamentare