Vetëm 57 vota pati sot Lëvizja Vetëvendosje në tentimin e pestë për të konstituuar institucionin më të lartë ligjvënës, dhe për herën e tretë Albulena Haxhiu nuk mori përkrahje të mjaftueshme për t’u ngjitur në krye të Kuvendit të Republikës.
Kjo ishte edhe tema që u diskutua nga analistëve në televizonin publik të Kosovës
Fatime Hajdari, analiste, tha se kjo situatë ka filluar të krijojë një lloj irritimi edhe tek qytetarët. Sipas saj, zgjidhja e vetme për zhbllokimin e kësaj situate do të ishin zgjedhjet e reja.
“Po sillemi në situatën e njëjtë, në rrethin vicioz. Ideja më e mirë do të ishte të zhbllokohej, të paktën të kishte thyerje të bllokadës sa i përket kryetares së kuvendit, të vazhdohet tutje e të caktohet data për zgjedhje të reja. Askush nuk është ithtar për zgjedhje pas zgjedhjeve, por megjithatë në situatën ku jemi, ku gjithçka po përsëritet, zgjidhja do të ishin zgjedhjet”, tha ajo.
Ndërkaq, Besa Luzha, analiste në panelin e RTK Prime, tha të jetë e befasuar me pozicionin e Lëvizjes Vetëvendosje. Ajo tha se ka pritur nga partia fituese që të ndryshojë mënyrën dhe të tentojë të përafrohet me partitë tjera, meqë ka nevojën e votave.
“Politika është art i së mundshmes dhe patjetër e ka kompromisin dhe marrëveshjen në thelb. Kur ke interes prej dikujt ta bësh një marrëveshje, nuk shkon për ta akuzuar vazhdimisht, sepse me anë të asaj qasjeje veç e largon. Pastaj ajo po duket sikur nuk po ke dëshirë të shkosh në fund të procesit. I takon fituesit ta shtrijë dorën që ta gjejë një zgjidhje”, tha Luzha.
Sipas Luzhës, subjektet e vogla po e shfrytëzojnë momentumin dhe po mundohen të kenë kërkesa maksimaliste, por tha se LVV-ja në këtë drejtim është treguar parimore.
“Sado që e ka pasur nevojën e votave të Nismës, nuk ka qenë e gatshme të bëjë kompromis deri në atë masë sa t’ia japë pozitën e kryeparlamentarit”, tha ajo.
Analisti Muhamet Hajrullahu tha se Vetëvendosje dhe Albulena Haxhiu nuk kanë vota dhe kjo, sipas tij, duhet pranuar.
“Mos të harrojmë, është dështim për herë të tretë dhe duhet pranuar. Nuk ka numra, nuk duhet ta lulëzojmë. Vetëvendosje i ka 57 vota nga 59 bashkë me të gjitha komunitetet. Kjo çka kemi parë sot mendoj që është bllokim, paqartësi e vazhdimit të procesit, përçarje e thellë politike, nuk ka ligje në kuvend, nuk ka marrëveshje ndërkombëtare, nuk ka dialog me Serbinë, nuk ka integrim të Kosovës e as anëtarësim në asnjë institucion, sepse nuk ka kush të lobojë”, tha Hajrullahu në RTK Prime