Sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, kritikoi të mërkurën atë që ai e quajti “financim të pamjaftueshëm kronik” të ndihmave humanitare në mbarë globin, pavarësisht nevojave në rritje për ndihma të tilla.
“Financimi i pamjaftueshëm kronik dhe nivelet rekorde të nevojave humanitare po e çojnë sistemin deri në pikën e thyerjes” i tha Guterres Segmentit të Çështjeve Humanitare të Këshillit Ekonomik dhe Social të OKB-së.
Ai shtoi se deri më tani, kur ka kaluar gjysma e vitit, janë marrë vetëm rreth 20 për qind e fondeve të nevojshme për ndihma humanitare sipas Apelit Global Humanitar të OKB-së.
“Kjo po shkakton një krizë brenda krizës”, shtoi Guterres. “Pa një zgjidhje për krizën e financimit, shkurtimet e mëtejshme janë të pashmangshme”.
Të hënën, më 19 qershor, donatorët ndërkombëtarë premtuan afro 1.5 miliardë dollarë ndihmë për Sudanin, i cili është goditur nga një krizë e rëndë humanitare që ka bërë që rreth 2.2 milionë njerëz të shpërngulen nga shtëpitë e tyre.
Përpara konferencës, një kërkesë e OKB-së për 2.57 miliardë dollarë për ndihma humanitare për Sudanin këtë vit ishte financuar vetëm rreth 17 për qind, ndërsa kërkesa për afro 500 milionë dollarë për refugjatët që largoheshin nga vendi u financua vetëm 15 për qind.
Muajin e kaluar, dy agjenci të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) paralajmëruan edhe për rritje të krizës ushqimore, përfshirë rrezikun e vdekjes nga uria në Sudan, shkaku i luftës dhe në Haiti, Burkina Faso dhe Mali për shkak të kufizimeve në lëvizjen e njerëzve dhe mallrave./REL