Analisti Visar Ymeri ka theksuar se Kaçaniku është një nga vendet më të varfra të Kosovës, duke e lidhur këtë me rritjen e ideve ekstreme në këtë zonë.
Sipas Ymerit, varfëria është një nga faktorët kryesorë që mundësojnë shtrirjen e këtyre ideve.
“Kaçaniku me sa e di unë, duhet me i kqyr statistikat, është njëri prej vendeve më varfëra në Kosovë. Janë këto toka ku gjejnë vend këto ide ekstreme më së shumti. Prandaj po them, problemi është edhe socio ekonomik. Shteti i Kosovës historikisht nuk e ka pasë në vëmendje. Duhet me i kushtu vëmendje”, tha Ymeri në “VV Show”.
Ai theksoi se rinia e këtij vendi po kërkon një përgjigje për pozitën e saj, dhe se është e rëndësishme që dikush ta ofrojë këtë përgjigje, sepse nëse shteti nuk e bën këtë, do të jetë dikush tjetër që do të ndikojë.
Ymeri gjithashtu foli për rolin e partive politike dhe liderëve, duke theksuar se ata duhet të ballafaqohen me problemet dhe të mos heshtin për arsye elektorale.
“Kjo rini e cila po kërkon një përgjigje për pozitën e vet duhet dikush me ia dhanë. Po nuk ia dhamë na ka me ia dhanë dikush tjetër. Çështja tjetër është roli i partive politike dhe liderët politik. Kur e sheh një problem duhesh me u ballafaqu. Nuk bën me hesht për arsye elektrorale. Ka forma të ndryshme të bashkëpunimit. Duhet me pasë parasysh që ka programe partiake që nuk përkojnë me bindjet fetare kur ato përkthehen në bindje politike”.