Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka sqaruar se Partia Demokratike nuk ka asnjë detyrim ligjor për të dorëzuar kontratën e saj të lobimit në SHBA përpara mbajtjes së zgjedhjeve të 11 majit. Në një deklaratë për mediat nga ambientet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Celibashi theksoi se afatet ligjore për deklarimin e të ardhurave dhe shpenzimeve zgjedhore janë të qarta dhe vlejnë për të gjitha subjektet.
“Nuk ka asnjë detyrim për të deklaruar të ardhurat. Ne nuk e kemi kontratën dhe nuk kemi detyrim t’ia kërkojmë PD në këtë moment. Kanë afat 60 ditë pas shpalljes së rezultatit. Kur ta kemi këtë kontratë do të japim dhe vlerësimin tonë për këtë dokument”, u shpreh Celibashi.
Kontrata në fjalë, e lidhur mes Partisë Demokratike dhe kompanisë amerikane “Continental Strategy”, ka një vlerë mujore prej 250 mijë dollarësh dhe është bërë publike në kuadër të një marrëveshjeje për lobim politik në Shtetet e Bashkuara. Reagimet publike dhe politike lidhur me këtë çështje kanë qenë të shumta, ndërsa SPAK ka nisur verifikimet paraprake mbi marrëveshjen.
Në të njëjtën dalje për mediat, Celibashi foli edhe për procesin e votimit të diasporës, duke njoftuar se mbi 70 mijë qytetarë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit kanë kthyer fletët e votimit nga gjithsej 245 mijë të regjistruar. Ai sqaroi se ende mbeten për t’u shpërndarë rreth 30 mijë fletë votimi dhe theksoi se ka ende kohë për të përmbyllur procesin brenda afatit ligjor