Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, në konferencën dhe panelet e diskutimit për Grantin e Performancës Komunale, theksoi rëndësinë e kësaj ngjarjeje si një moment për të vlerësuar arritjet e komunave dhe për të forcuar qeverisjen lokale.
Ai u shpreh se granti nuk është vetëm një mbështetje financiare, por një mjet i fuqishëm për të nxitur përmirësimin institucional dhe ofrimin më të mirë të shërbimeve për qytetarët.
“Kjo është një ngjarje e rëndësishme, ku njohim arritjet e jashtëzakonshme të komunave të Kosovës dhe festojmë përkushtimin tonë të përbashkët për forcimin e qeverisjes lokale. Jemi të kënaqur që mbështesim këtë nismë të vlefshme, e cila është zhvilluar në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal. Granti për Performancë Komunale nuk shërben vetëm si një instrument financiar, por mbi të gjitha, si një shtytës kyç për komunat. Përmes këtij granti, komunat inkurajohen të përmirësojnë performancën institucionale dhe të ofrojnë shërbime publike me më shumë efikasitet dhe me përgjegjshmëri më të madhe ndaj nevojave të qytetarëve”, tha ambasadori Orav.
Orav theksoi se këtë vit, 7.7 milionë euro do të ndahen për 12 komuna që kanë treguar performancë të lartë.“Këtë vit, një shumë prej gjithsej 7.7 milionë eurosh do t’i ndahet 12 komunave të dalluara, të cilat kanë investuar shumë energji dhe përpjekje. Ju shprehim urimet tona më të përzemërta secilit prej jush. Gjatë konferencës së sotme, Timur do të flasë për rëndësinë e sistemit të menaxhimit të performancës në përmirësimin e qeverisjes lokale. E shfrytëzoj këtë rast për të përsëritur se arsyeja pse Bashkimi Evropian ka investuar në këtë nismë novatore është sepse Granti për Performancë Komunale ka dëshmuar se ndihmon në përmirësimin e qeverisjes së mirë në nivel lokal. Qëllimi i saj shkon përtej rritjes së investimeve kapitale në nivel komunal”, theksoi ai.
Matthias Herr, Drejtor për Evropën Lindore në Helvetas, në konferencën për Grantin e Performancës Komunale, tha se sfidat globale me të cilat po përballet demokracia, përfshirë ngushtimin e hapësirës qytetare, rënien e besimit në institucione dhe presionet nga migrimi, de-urbanizimi dhe ndryshimet klimatike.“Po takohemi në një kohë kur demokracia në mbarë botën po përballet me sfida në rritje. Hapësira qytetare po ngushtohet, besimi në institucione po vihet në provë dhe edhe qeverisjet lokale duhet të përshtaten me presionet e de-urbanizimit, migrimit dhe ndryshimeve klimatike. Dhe le të mos harrojmë se, edhe pse nevojat po rriten — përfshirë për qeverisje dhe decentralizim — financimi nga donatorët është gjithashtu nën presion. E megjithatë, është pikërisht në kohë të tilla kur niveli lokal ka rëndësinë më të madhe. Sepse pikërisht aty demokracia bëhet e prekshme, aty ku qytetarët i shohin dhe i ndjejnë rezultatet, aty ku dëgjohen zërat, ku shërbimet i përgjigjen nevojave, ku shpresa ndërtohet nga poshtë-lart. Ne besojmë se kur komunat fuqizohen, demokracia lulëzon. Komuna të forta ndërtojnë shoqëri më të forta”, tha ai.