Kandidatja e Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës, Entela Ramosaçaj, ka hedhur poshtë perceptimin se në PS çdo vendim merret vetëm nga kryetari i partisë, Edi Rama
E ftuar në emisionin “Log” në News24, ajo tha se në PS ekziston një vizion i përbashkët dhe një angazhim kolektiv për të çuar Shqipërinë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian deri në vitin 2030
Duke iu përgjigjur kritikave për centralizimin e pushtetit në PS, Ramosaçaj tha se ky është një perceptim i gabuar.
“Sa kohë që kemi gra të fuqishme në politikë dhe një vizion të përbashkët për integrimin e vendit në BE, ky perceptim është abuziv dhe i gabuar”, u shpreh ajo
Zv.ministrja e Shëndetësisë dhe njëkohësisht kryetare e Forumit të Gruas Socialiste në Tiranë, Entela Ramosaçaj, tha se kandidatura e saj në listën e hapur të PS përfaqëson një lidhje të drejtpërdrejtë me qytetarët.
Ajo tha se mbështetja do të vijë nga pacientët, kolegët dhe studentët që ajo ka takuar gjatë viteve të punës në QSUT dhe në Universitetin e Mjekësisë.
Ajo theksoi se PS po zhvillon një fushatë të organizuar dhe se të gjithë kandidatët janë të angazhuar për një qëllim të përbashkët: çuarjen përpara të reformave që do ta afrojnë Shqipërinë me Bashkimin Europian
Entela Ramosaçaj: Vazhdoj detyrën si zv/ministre e shëndetësisë. Kam qenë mjeke në QSUT dhe pedagoge në universitetin e Mjekësisë.
Mbaj postin e kryetares së gruas së PS në Tiranë.
Jam në listën e hapur dhe kam një pjesë të mirë të njerëzve që më njohin, pacientët e mi, kolegët dhe besoj se kam një lidhje me një pjesë të njerëzve që janë ndeshur me mua një herë në jetë.
Përfshirja e grave në politikë dhe pjesëmarrja në vendimmarrje nuk daton në këto zgjedhje.
Fushata jonë është mjaft e organizuar. Si kryetare e forumit të gruas socialiste, jam e angazhuar. Vizioni jonë është futja e Shqipërisë në 2030 në BE.
Sa kohë që ne kemi gra të fuqishme në politikë dhe vendimmarrje, duke patur një vizion të përbashkët, ky perceptim është abuziv dhe i gabuar.