Ish-Presidenti Ilir Meta, aktualisht në paraburgim dhe kandidat në listat e opozitës për zgjedhjet e 11 majit, ka kritikuar gjendjen në burgjet shqiptare, duke e quajtur situatën “shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut”.
Në një deklaratë publike, Meta akuzon qeverinë se po mban në burg qytetarë pa gjyq dhe pa prova, duke e përdorur paraburgimin si ndëshkim.
“Në Shqipëri, gati 2/3 e të burgosurve janë të paraburgosur dhe mbi 1/3 e tyre pa asnjë akuzë. Paraburgimi është kthyer në një dënim pa proces gjyqësor, duke shkelur çdo standard europian,” deklaroi Meta.
Duke e cilësuar këtë një sistem të padrejtë, Meta premton se opozita do të ndryshojë ligjet nëse fiton në zgjedhje, duke siguruar hetime në liri dhe gjykime më të shpejta.
“Nuk do të ketë më zvarritje të proceseve hetimore dhe gjyqësore. Ndërkohë në burgje, me prioritet, do të vijnë kriminelët elektoralë, që nga ata të dosjes që fle të Dibrës dhe deri te këta të zgjedhjeve të 11 majit,” u shpreh Meta.