Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur qartë dëshirën për të formuar një koalicion qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), duke theksuar se është koha që ky bashkëpunim të ndodhë tani, pa kaluar në zgjedhje të reja.
Në një letër publike, Kurti është shprehur i bindur se baza elektorale e të dy partive favorizon një koalicion të tillë. “Jam i bindur që votuesit e LDK-së sot e preferojnë më së shumti koalicionin me LVV. Edhe votuesit e LVV e preferojnë po ashtu më së shumti koalicionin me LDK,” shkruan ai.
Ai nënvizoi se një koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) nuk është në interes të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), ndërsa sugjeron se zgjedhjet e reja nuk do të sillnin ndonjë ndryshim të madh në skenarin politik. “Ne edhe mund të shkojmë në zgjedhje të reja ku pak çka mund të ndryshojë për LDK-në dhe mandej sërish do të na duhet të ulemi bashkë për koalicionin LVV-LDK! Pse ta bëjmë atëherë më vonë, kur mund ta bëjmë tash?”, pyet Kurti.
Kjo thirrje vjen në një kohë kur vendi ndodhet në një periudhë të ndjeshme politike dhe kërkimi për stabilitet institucional është më i nevojshëm se kurrë. Me këtë hap, Kurti duket se dëshiron të shmangë ciklet e pafundme zgjedhore dhe të ndërtojë një shumicë të qëndrueshme për qeverisje.
Rrjedha e ngjarjeve në ditët në vijim pritet të qartësojë nëse LDK do ta pranojë ofertën, duke hapur rrugën për një kapitull të ri të bashkëpunimit politik në Kosovë.
Në këtë letër, Kurti i flet Abdixhikut edhe për PDK-në, me të cilën thotë se nuk janë të interesuar të bëjnë koalicion.
“Jam i bindur që votuesit e LDK-së sot e preferojnë më së shumti koalicionin me LVV. Edhe votuesit e LVV e preferojnë po ashtu më së shumti koalicionin me LDK. Pse të mos e bëjmë? LVV nuk është e interesuar për koalicion me PDK. Ne edhe mund të shkojmë në zgjedhje të reja ku pak çka mund të ndryshojë për LDK-në dhe mandej sërish do të na duhet të ulemi bashkë për koalicionin LVV-LDK! Pse ta bëjmë atëherë më vonë, kur mund ta bëjmë tash? Pse edhe një palë zgjedhje për koalicionin e njëjtë?”, shkruan Kurti në letër.
PDK-ja, paraprakisht e ka hedhur poshtë mundësinë e një koalicioni qeverisës me LVV-në.
Të njëjtin qëndrim e mban edhe LDK-ja, për të cilën Kurti në letër shkroi se “njihet si parti e cila nuk ka hezituar për koalicione qeverisëse”.
