Prishtinë, 5 maj 2025 – Gjyqësori i Kosovës po përballet me një ngarkesë të jashtëzakonshme si pasojë e moszbatimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Pagat në Sektorin Publik nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Vetëm brenda një dite, në Gjykatën Themelore të Prishtinës janë dorëzuar rreth 2 mijë padi, numër ky që pritet të rritet ndjeshëm në ditët dhe javët në vijim.
Këtë shqetësim e ngriti gjyqtari Argzon Muçaj gjatë një diskutimi në emisionin “Tempus”, ku theksoi se kjo situatë po krijon barrë të panevojshme për sistemin gjyqësor. Sipas tij, këto lëndë nuk janë të natyrës komplekse dhe nuk do të duhej të ngarkonin fare gjykatat, meqenëse kanë të njëjtën bazë juridike dhe janë trajtuar e konfirmuar më parë nga instancat më të larta, përfshirë Gjykatën Supreme.
“Nëse një vendim kalon të gjitha instancat dhe konfirmohet, është e pakuptimtë të vazhdojë të kthehet në gjykatë. Këto janë shpenzime të kota dhe të panevojshme për buxhetin e shtetit”, u shpreh gjyqtari Muçaj.
Ai paralajmëroi se fluksi në rritje i padive, që kanë filluar të vijnë pas mosveprimit të Kuvendit për të zbatuar aktgjykimin kushtetues, mund të përfshijë mbi 80 mijë zyrtarë publikë në të gjithë vendin. Një ngarkesë e tillë, sipas tij, do të ndikojë direkt në efikasitetin e trajtimit të lëndëve të tjera, duke goditur rëndë jo vetëm gjyqësorin, por edhe sistemin administrativ.
Nga ana tjetër, Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), vlerëson se përgjegjësia për këtë situatë bie mbi Qeverinë në detyrë. Sipas tij, megjithëse juridikisht paditet Kuvendi si institucion, faktikisht faji bie mbi shumicën parlamentare që nuk ka ndërmarrë asnjë hap për zbatimin e vendimit kushtetues.
“IKD ka avokuar në vazhdimësi për zbatimin e aktgjykimit, por fatkeqësisht nuk ka pasur asnjë reflektim. Ky mosveprim shkel të drejtat e afër 91 mijë zyrtarëve dhe rrezikon seriozisht buxhetin shtetëror”, tha Shala.
Në një takim të organizuar nga IKD më 20 mars me përfaqësues të partive politike, sindikatave dhe shoqërisë civile, u ngritën shqetësime serioze për pasojat e kësaj neglizhence. Raporti i publikuar nga IKD me titull: “Mosveprimi i Kuvendit shkel të drejtat e 90,696 zyrtarëve publikë dhe rrezikon buxhetin shtetëror” parashikon se nëse paditë vazhdojnë me këtë ritëm, gjyqësori do të vërshohet me rreth 90 mijë lëndë të reja, që do të kushtojnë mbi 35 milionë euro vetëm për shpenzime procedurale.
Kriza aktuale është një dëshmi e drejtpërdrejtë e pasojave që sjellin moszbatimi i vendimeve kushtetuese dhe papërgjegjshmëria institucionale, duke e vendosur jo vetëm gjyqësorin, por edhe financat publike, përballë një sfide të rëndë.

