Prishtinë, 7 maj 2025 – Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt të Kryesisë, ku është diskutuar situata e fundit politike në vend, përfshirë bllokadën institucionale dhe iniciativat për tejkalimin e saj.
Në një komunikatë për media, PDK shpreh shqetësimin e thellë për krizën aktuale, të cilën e cilëson si rezultat të sjelljes së papërgjegjshme të koalicionit fitues të zgjedhjeve të 9 shkurtit. Sipas saj, ky koalicion, në mungesë të shumicës parlamentare, po e mban peng vendin dhe po pengon krijimin e institucioneve funksionale.
“Çdo iniciativë që synon zgjidhjen e bllokadës meriton të dëgjohet dhe të diskutohet,” thuhet në njoftimin e PDK-së, duke theksuar se që nga përfundimi i zgjedhjeve ka zhvilluar takime me të gjitha partitë parlamentare, përfshirë edhe Lëvizjen Vetëvendosje, ndonëse e cilëson atë si përgjegjësen kryesore për gjendjen aktuale.
Partia thekson se dialogu dhe bashkëpunimi janë rruga e vetme për rikthimin e normalitetit institucional dhe garanton se nuk do të shmanget nga asnjë takim që është në interes të qytetarëve.
Në këtë kontekst, PDK bën thirrje që Presidentja e Republikës të ndërmarrë hapat e duhur për të organizuar një tryezë gjithëpërfshirëse me subjektet politike parlamentare, e cila do të mundësonte një rrugëdalje nga ngërçi aktual.
Partia Demokratike e Kosovës shprehet se është e bindur se formimi i një qeverie të re nga partitë që kanë qenë në opozitë në mandatin e kaluar është zgjidhja më e mirë për vendin. Një qeveri që, sipas tyre, do të ndalte degradimin institucional, do të përmirësonte imazhin ndërkombëtar të Kosovës dhe do të ofronte zhvillim për të gjithë qytetarët.
Në fund, PDK i bën thirrje koalicionit VV-GUXO-Alternativa që të ndalë, siç thonë ata, abuzimin me të drejtën kushtetuese për propozimin e kandidatit për Kryetar të Kuvendit dhe të reflektojë ndaj realitetit politik.
“Kosova ka nevojë për institucione funksionale sa më parë. PDK mbetet e përkushtuar për një proces demokratik dhe kushtetues që çon drejt zgjidhjes. Kosova meriton më shumë. Kosova mundet më mirë!”, përmbyllet komunikata e partisë.