Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, nga Tirana, u shpreh me tone të forta se rruga drejt ndryshimit të vërtetë në Shqipëri nuk ndalet më
Ai u shpreh se Partia Mundësia është tashmë forca e tretë politike në vend dhe se ky është vetëm fillimi i një lëvizjeje që ka për qëllim të rikthejë shpresën dhe dinjitetin për shqiptarët që duan të jetojnë me punë të ndershme në atdheun e tyre
“Ja që ja dolëm. Në 10 muaj që kur themeluam partinë, tani jemi partia e tretë në Shqipëri dhe ky është vetëm fillimi. Nuk na ndal askush. Tani thirrja ime e fundit është kjo: ndryshimi kalon përmes votës. Pushteti nuk është në dorën e tyre. Pushteti është në dorën e secilit prej nesh,” u shpreh Shehaj.
Ai theksoi se është i vetëdijshëm që Partia Mundësia nuk e ka shumicën sot, por kjo nuk e zbeh bindjen se ndryshimi është një proces që do të ecë përpara hap pas hapi, me mbështetjen e të gjithë atyre shqiptarëve që ndajnë të njëjtat vlera: ndershmëri, punë dhe dëshirë për të jetuar në një shtet që funksionon për qytetarin, jo kundër tij.
“Jam i vetëdijshëm që ne sot nuk kemi shumicën. Jam i vetëdijshëm që kemi një pjesë të qytetarëve që na mbështesin. Por si çdo gjë, edhe ky ndryshim është një proces që gradualisht do na çojë drejt suksesit. Unë nuk kam asnjë dyshim mbi këtë. Sepse ajo që po bëjmë është gjëja e duhur, është gjëja e drejtë dhe nuk po e bëjmë për veten tonë – po e bëjmë për vendin tonë,” tha Shehaj.
Në një mesazh të drejtpërdrejtë për të gjithë qytetarët që kanë menduar të largohen nga vendi për shkak të pamundësisë për të ndërtuar një jetë me dinjitet në Shqipëri, Shehaj tha se misioni i Partisë Mundësia është pikërisht që kjo të mos jetë më e nevojshme.
“Që shqiptarët, nëse duan t’ia dalin me punë të ndershme, të mos jenë më të detyruar të largohen nga Shqipëria, të shkojnë në Europë apo në Amerikë, por t’ia dalin në vendin e tyre, në Shqipëri.”
Shehaj solli në vëmendje edhe përvojën e emigracionit, që e ka përjetuar vetë si shumë shqiptarë të tjerë, dhe tha se përvoja jashtë vendit duhet të shërbejë si frymëzim për të ndërtuar të njëjtin model suksesi edhe në Shqipëri.
“Ne të gjithë kemi qenë jashtë dhe e kemi parë çfarë do të thotë t’ia dalësh me punë të ndershme. Dhe çfarë kemi parë jashtë, duam ta kthejmë në Shqipëri. Ky është qëllimi ynë.
Ky është misioni ynë. Dhe unë jam i bindur që do t’ia dalim.”
Në fund të fjalës së tij, kreu i Partisë Mundësia ftoi të gjithë qytetarët që të mos dorëzohen përballë propagandës dhe frikës, dhe t’i japin Shqipërisë një mundësi të re, një fillim të ri, përmes votës më 12 maj