Trump gati të shpallë marrëveshje tregtare me Mbretërinë e Bashkuar – Paundi britanik rritet pas lajmit

by engel

Presidenti amerikan Donald Trump pritet të shpallë një marrëveshje të rëndësishme tregtare me Mbretërinë e Bashkuar, sipas burimeve të siguruara nga Sky News. Njoftimi zyrtar pritet të bëhet të enjten në Zyrën Ovale, ku Trump më herët kishte paralajmëruar se do të zbulonte një marrëveshje të madhe, pa zbuluar emrin e vendit me të cilin është arritur ajo.

Burime qeveritare britanike konfirmojnë për Sky News se raportimet fillestare të publikuara nga gazeta prestigjioze The New York Times janë të sakta. Sipas zëvendës redaktorit politik të Sky, Sam Coates, bëhet fjalë për një marrëveshje të tipit “heads of terms”, një formë paraprake që përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt një marrëveshjeje të plotë dhe të detajuar.

banner

Tre burime të njohura me zhvillimet i thanë më herët New York Times-it se presidenti Trump do të bëjë publike marrëveshjen të enjten, e cila do të vendosë bazat për një partneritet të ri ekonomik mes SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Menjëherë pas përhapjes së lajmit, tregjet reaguan: paundi britanik u forcua me 0.4% kundrejt dollarit amerikan, duke reflektuar optimizmin për një marrëveshje që mund të nxisë eksportet britanike drejt tregut amerikan.

Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump njoftoi se konferenca për shtyp do të mbahet me “përfaqësues të një vendi të madh dhe shumë të respektuar”, duke shtuar se ky do të jetë vetëm “i pari nga shumë” njoftime të ngjashme në të ardhmen. Sidoqoftë, ai nuk dha më shumë hollësi.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë ka refuzuar të komentojë mbi raportimin e New York Times. Burime nga administrata Trump konfirmojnë se janë zhvilluar takime intensive me partnerë tregtarë që nga vendosja e tarifave të reja më 2 prill, të cilat Trump i përshkroi si “tarifat e ditës së çlirimit”.

SHBA vendosi një tarifë prej 10% për shumicën e vendeve, përfshirë edhe Britaninë, si dhe norma më të larta “reciproke” për shumë partnerë. Megjithatë, këto tarifa reciproke u pezulluan për një periudhë 90-ditore.

Britania nuk u godit nga tarifat më të larta reciproke, pasi bilanci tregtar i saj me SHBA-në favorizon importet nga Amerika. Megjithatë, vendi mbetet i prekur nga një tarifë prej 25% për makinat, si dhe për importet e çelikut dhe aluminit në SHBA.

Një zyrtar britanik konfirmoi të martën se është bërë përparim i dukshëm në negociatat për një marrëveshje që pritet të përfshijë ulje tarifash për çelikun dhe makinat – një zhvillim që mund të ketë ndikim pozitiv për prodhuesit britanikë dhe tregtinë dypalëshe.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy