Shtatë persona të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare në ndërtimin e shkollës në Tërnje të Suharekës

by engel

Prizren, 8 maj 2025 — Prokuroria Themelore në Prizren, përmes Departamentit për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj shtatë personave për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, lidhur me ndërtimin e shkollës fillore “Vaso Pashë Shkodrani” në fshatin Tërnje të Komunës së Suharekës.

Të pandehurit B.K., A.R., V.K., Z.T., A.E., H.B., dhe A.T. akuzohen se gjatë periudhës tetor 2018 – dhjetor 2019, në bashkëkryerje kanë shkelur detyrat zyrtare në mënyrë që të mundësojnë përfitime të padrejta për operatorët ekonomikë të përfshirë në projektin ndërtimor, me një dëm të konsiderueshëm për buxhetin komunal.

banner

Sipas aktakuzës, menaxheri i projektit, B.K., ka ndryshuar projektin ndërtimor pa miratimin e kompanisë projektuese dhe ka pranuar punime në kundërshtim me kontratën dhe rregullat për prokurim publik. Ndërkohë, mbikëqyrësit komunalë A.R. dhe V.K., si dhe mbikëqyrësi i jashtëm Z.T., nuk kanë përmbushur përgjegjësitë e tyre kontraktuale gjatë mbikëqyrjes së punimeve.

Gjithashtu, anëtarët e komisionit për kontrollimin e punëve – A.E., H.B. dhe A.T. – sipas Prokurorisë, kanë dështuar të verifikojnë sasinë, cilësinë dhe vlerën e punimeve të kryera. Ata kanë pranuar pagesa për pozicione që nuk janë realizuar, përfshirë një hapësirë bodrumi prej 175 m² që nuk është ndërtuar sipas projektit, duke u zëvendësuar vetëm me një aneks prej 16 m². Për më tepër, është lidhur një kontratë për punë shtesë me të njëjtin operator ekonomik në vlerë prej 29,202.60 euro, duke i shkaktuar kështu dëm buxhetit të komunës.

Prokurori i çështjes ka propozuar që pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen në përputhje me ligjin për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas nenit 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy