Prishtinë, 8 maj 2025 – Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka ndërmarrë sot një hap të rëndësishëm ligjor duke dorëzuar zyrtarisht padi në Gjykatën Supreme kundër Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrave të qeverisë së tij, për siç thuhet, keqpërdorim të pozitës dhe shkelje të ligjit.
Sipas një komunikate për media të lëshuar nga LDK pas dorëzimit të kallëzimeve penale, kjo parti akuzon zyrtarët në fjalë për vazhdim të ushtrimit të funksioneve ekzekutive edhe pas certifikimit të tyre si deputetë më 27 mars – një veprim që LDK e konsideron shkelje të drejtpërdrejtë të nenit 26 të Ligjit për Qeverinë, i cili kërkon dorëheqje të detyrueshme nga funksionet qeveritare në rast të certifikimit si anëtar i Kuvendit.
“Zyrtarët e certifikuar si deputetë nuk janë të autorizuar të marrin vendime qeveritare, pasi kjo përbën shkelje të ligjit dhe tejkalim të kompetencave ekzekutive,” thuhet në deklaratën e LDK-së. Sipas saj, veprimet e ndërmarra nga Kurti dhe kabineti i tij pas certifikimit kanë shkaktuar pasoja konkrete institucionale, financiare dhe juridike.
Partia opozitare thekson se këto veprime bien ndesh me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, konkretisht me nenin 414 që sanksionon keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar.
Deputetët e LDK-së kërkojnë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës që të nisë hetimet penale ndaj të gjithë të dyshuarve dhe të analizojë vendimet e marra pas datës së certifikimit, duke kërkuar përgjegjësi penale dhe politike për çdo shkelje.
“Për LDK-në, askush nuk është mbi ligjin. Republika e Kosovës duhet të funksionojë mbi themelet e barazisë para ligjit dhe ndarjes së pushteteve,” përmbyllet komunikata e kësaj partie.
Kjo padi vjen në një moment të ndjeshëm politik në vend dhe pritet të nxjerrë në pah debatet e nxehta rreth funksionimit të institucioneve dhe respektimit të rregullave kushtetuese.