Zgjedhja historike e Papës së parë amerikan përcillet me urime nga mbarë bota

by informim peje

Udhëheqësit më të lartë nga e gjithë bota kanë reaguar me urime dhe mesazhe shprese pas zgjedhjes së Kardinalit Robert Francis Prevost si Papa Leoni XIV, Papa i parë me origjinë amerikane në historinë e Kishës Katolike.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e përshëndeti zgjedhjen si një “nder të madh”, duke shkruar në platformën Truth Social.

banner

“Urime Kardinalit Robert Francis Prevost, i cili sapo u emërua Papë. Është një nder i madh të kuptojmë se ai është Papa i parë amerikan. Çfarë emocioni dhe çfarë nderi i madh për vendin tonë”, theksoi ai.

Kryeministri britanik, Sir Keir Starmer e përshkroi këtë zhvillim si “të rëndësishëm”, duke theksuar se zgjedhja e Papa Leoni XIV është një moment shumë i thellë gëzimi për katolikët në Mbretërinë e Bashkuar dhe në nivel global, dhe fillon një kapitull të ri për udhëheqjen e Kishës dhe në botë.

Nga Parisi, presidenti francez, Emmanuel Macron e quajti zgjedhjen “një moment historik”, duke uruar që “ky pontifikat i ri të jetë paqeje dhe shprese”.

Presidenti polak, Andrzej Duda tha se Polonia e përjeton me emocione dhe shpresë të madhe këtë moment, ndërsa Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian, uroi që papniteti i tij të udhëhiqet nga “mençuria dhe forca”.

Kryeministri kanadez, Mark Carney, në një postim në X, shprehu urimet dhe lutjet e tij për Papën e ri, duke e cilësuar pontifikatin e tij si një mundësi për “solidaritet, dhembshuri dhe dinjitet për të gjithë”.

Nga Australia, kryeministri Anthony Albanese e ftoi Papën të vizitojë vendin për Kongresin Ndërkombëtar Eukaristik të vitit 2028, ndërsa peshkopët e vendit e përshkruan si “një udhëheqës të përulur dhe të butë”, ndonëse me stil më të përmbajtur se Papa Françesku.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky uroi për zgjedhjen, duke shprehur shpresën për “mbështetjen morale dhe shpirtërore të Vatikanit në përpjekjet për paqe dhe drejtësi”, ndërsa Presidenti rus Vladimir Putin theksoi rëndësinë e dialogut konstruktiv midis Rusisë dhe Selisë së Shenjtë.

Presidentja e Perusë, Dina Boluarte, e cilësoi Papa Leonin XIV si një “qytetar peruan me zgjedhje dhe zemër”, duke kujtuar se ai mori shtetësinë peruane pas shumë vitesh shërbimi në vend.

Presidenti i Filipineve, Ferdinand Marcos Jr, dhe kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të vendit i bënë jehonë thirrjes së Papës për paqe dhe dhembshuri, duke theksuar shpresën se ai do ta sjellë Kishën më pranë të varfërve.

Urimet e ish-presidentëve amerikanë

Ish-presidentët amerikanë kanë reaguar gjithashtu për zgjedhjen e Papa Leoni XIV, papës së parë të lindur në SHBA. Joe Biden e quajti “një moment historik”, ndërsa Barack Obama theksoi rëndësinë e përfaqësimit nga një “bashkëqytetar nga Çikago”.

George W. Bush e cilësoi zgjedhjen e Papa Leonit XIV, si një shpresë të re për katolikët në Amerikë dhe në botë. Bill Clinton tha se mesazhi i parë i Papa Leoni XIV “u foli miliarda njerëzve” dhe bëri thirrje për unitet e paqe.

Kush është Papa Leoni XIV?

Robert Francis Prevost është zgjedhur Papa i ri dhe ka marrë emrin Leoni XIV. Ai është Papa i 267-të në historinë e Kishës, i pari amerikan me origjinë italiane, franceze dhe spanjolle, i lindur në Çikago.

Papa Leoni XIV pritet të udhëheqë Kishën Katolike në një epokë të re, në përballje me sfida globale, por edhe me pritshmëri të larta për një papat më gjithëpërfshirës, të përulur dhe të përkushtuar ndaj paqes dhe drejtësisë.

I lindur në Çikago në vitin 1955, Prevost shërbeu si ndihmës në altar dhe u shugurua prift në vitin 1982. Edhe pse u zhvendos në Peru tre vite më vonë, ai u kthye rregullisht në SHBA për të shërbyer si pastor dhe prift në qytetin e tij të lindjes.

Ai ka kombësi peruane dhe kujtohet me dashuri si një figurë që punoi me komunitete të margjinalizuara dhe ndihmoi në ndërtimin e urave në Kishën lokale.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy