PS mbylli këtë të premte fushatën për zgjedhjet e 11 majit në Parkun Olimpik në Tiranë.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama ftoi shqiptarët që të votojnë për Shqipërinë në Bashkimin Europian
Rama tha se Partia Socialiste do të marrë më shumë se 78 mandate në zgjedhjet e 11 majit.
“Ne edhe aritmetikisht do të ngjitemi më lart, me e pakta 78 mandate”, tha Rama.
Ai tha se PS e nxori Tiranën nga gërmadhat dhe e rilindi atë ndërsa tha se në kryeqytet PS do të marrë deri në 20 mandate.
“Tiranë e dashur, Shqipëri e shtrenjtë, shqiptarë dhe shqiptare pa krahinë, fe e ide, kudo që jeni, vëllezër e motra socialistë të progresit, ju këtu, shokë e shoqe të armëve nga Tirana. Partia Socialiste e Shqipërisë e nxori Tiranën nga gërmadhat dhe më pas e rilindi. Jemi në kulmin e një tjetër rrugëtimi katërvjeçar, në ngjitje, lart, drejt majës ku ndodhet Shqipëria e Europës së Bashkuar. Nuk besoj te rastësitë dhe nuk është rastësi që sot jemi këtu, më 9 maj, në Ditën e Europës, për të thënë fjalën e fundit të këtij rrugëtimi. E më pas, për të shkruar së bashku me shumicën dërrmuese të shqiptarëve në kutitë e votimit, dhe për të firmosur aty marrëveshjen tonë të madhe për Shqipërinë tonë europiane, për Shqipërinë në Bashkimin Europian”, tha Rama