Presidenti Begaj me mesazh për zgjedhjet e 11 majit: “Vota është zëri juaj, përdoreni me dinjitet”
Në prag të zgjedhjeve të 11 majit, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka drejtuar një mesazh të posaçëm për qytetarët shqiptarë, partitë politike dhe institucionet përgjegjëse për administrimin e procesit zgjedhor. Ai thekson rëndësinë e kësaj dite si një akt thelbësor demokratik, duke i ftuar të gjithë qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre me qetësi, përgjegjësi dhe dinjitet.
Presidenti e cilëson 11 majin si një test pjekurie politike jo vetëm për qytetarët, por edhe për partitë politike dhe institucionet që garantojnë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Ai kërkon që kjo ditë të shndërrohet në një feste qytetare, duke theksuar se demokracia nuk është vetëm vota, por një angazhim i përditshëm.
“Unë ju ftoj të ushtroni të drejtën tuaj për të votuar ditën e diel me qetësi, përgjegjësi dhe dinjitet! Të gjithë së bashku mund ta kthejmë këtë proces në një shembull të qytetarisë, të transparencës dhe të pjekurisë demokratike,” – shprehet Begaj në mesazhin e tij.
Në fjalën e tij, Presidenti thekson gjithashtu se institucionet kanë një detyrim të panegociueshëm për të garantuar zgjedhje të lira, të ndershme dhe të qeta, duke nënvizuar se vetëm përmes një procesi të tillë mund të ndërtohet besimi i qytetarëve te shteti dhe te sistemi demokratik.
Begaj e përmbyll mesazhin me një thirrje të qartë:
“Vota është zëri juaj. Përdoreni me dinjitet, sepse përmes saj ju merrni në dorë fatin tuaj dhe të brezave që do të vijnë. Pavarësisht sfidave, unë kam besim se ne mund dhe duhet të qëndrojmë të bashkuar, të palëkundur në përkushtimin tonë për një Shqipëri më të drejtë, më të zhvilluar dhe më demokratike.”
Mesazhi i Presidentit vjen në një moment kyç për vendin, ku sytë e publikut dhe të komunitetit ndërkombëtar janë të fokusuar në mënyrën se si do të zhvillohet dhe administrohet procesi zgjedhor, si tregues i përparimit të Shqipërisë në rrugën e saj drejt standardeve evropiane.