Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka vizituar sot Prokurorinë e Fierit, duke theksuar rëndësinë e veçantë që mbart procesi zgjedhor i sotëm, veçanërisht pas çeljes së negociatave me BE-në
Gonzato sqaroi se nuk po kryen vëzhgim formal zgjedhor, por është në terren për të parë nga afër mënyrën si po ecin zgjedhjet dhe bashkëpunimi mes institucioneve. Ai tha se ishte më herët në Durrës për shkak të informacionit mbi aktivitetin e bandave dhe u zhvendos në Fier për të ndjekur situatën nga afër. Sipas tij, marrëveshja për bashkëpunim institucional po funksionon mirë, ndërsa çdo incident do të hetohet nga institucionet përkatëse
Ambasadori i BE, Silvio Gonzato në Prokurorinë e Fierit: Kjo është ditë e rëndësishme për qytetarët shqiptarë, në veçanti pas çeljes së negociatave. Unë sot nuk po bëj vëzhgim zgjedhor. Unë po shikoj sesi po ecin zgjedhjet. Zgjedhjet e sotme janë shumë të rëndësishme. ODIHR po vëzhgon zgjedhjet dhe ata më pas do japin gjetjet dhe rekomandimet e tyre. Sapo kam arritur në qarkun e Fierit. Unë doja të takohesha me SPAK, për të parë punën që po bëjnë. Po vëzhgoj sesi po ecën puna e bashkëpunimit mes institucioneve për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në Shqipëri. Marrëveshja e bashkëpunimit institucional po ecën mirë. Incidentet do të hetohen nga institucionet e vendit. Erdha në Fier, që mos të mbetem në Tiranë. Isha në Durrës, sepse kishte informacione për bandat, kishim informacione edhe për bandat në Fier dhe erdha këtu.