Prishtinë – 12 maj 2025: Mësimdhënësi i gjuhës angleze në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Xhemail Mustafa” në Prishtinë, Muhamed Hajredinaj, është deklaruar i pafajshëm ndaj akuzës për nxitje të urrejtjes dhe përçarjes për shkak të një incidenti të ndodhur në nëntor të vitit të kaluar.
Në seancën e parë gjyqësore të mbajtur të hënën në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Hajredinaj, i cili akuzohet se kishte hedhur në shportën e mbeturinave flamurin kombëtar dhe plisin, deklaroi para trupit gjykues: “Jam i pafajshëm.”
Seanca u udhëhoq nga gjyqtari Lutfi Shala, ndërsa aktakuza u lexua nga prokurori special Bekim Kodraliu.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale më 24 prill 2025, më 27 nëntor 2024, në prag të festës së flamurit, Hajredinaj ka ndërmarrë veprime që dyshohet se kishin për qëllim nxitjen e urrejtjes e përçarjes ndërmjet grupeve kombëtare, etnike dhe fetare. Ai akuzohet se ka hedhur në shportën e plehrave flamurin kuq e zi dhe një plis të sjellë nga nxënësit si pjesë e përgatitjeve festive, duke shfaqur hapur qëndrimet e tij kundërshtuese përmes deklaratave të motivuara fetarisht.
Gjithashtu, aktakuza e ngarkon Hajredinajn se ka larguar nga ora e mësimit një nxënëse që mbante simbole kombëtare, duke i pamundësuar pjesëmarrjen në programin festiv të organizuar nga shkolla për Ditën e Flamurit.
Për këto veprime, ai akuzohet për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, sipas nenit 141, paragrafi 4 në lidhje me paragrafin 3 të Kodit Penal të Kosovës.
Pas deklarimit të pafajësisë, gjyqtari Shala i njoftoi të pandehurin dhe avokatin e tij, Muhamet Muja, se kanë afat prej 30 ditësh për të kundërshtuar provat dhe për të kërkuar hedhjen poshtë të aktakuzës.