Nga të shtënat me armë zjarri sot rreth orës 04:00 një plumb qorr ka shpuar dritaren e një banese në rrugën “Lidhja e Pejës”, në Prishtinë.
Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin një qytetar i cili po ashtu ka dërguar edhe fotografi të plumbit si dhe të dritares së banesës së tij.
Gjithashtu edhe Policia e Kosovës e ka konfirmuar se ka pasur të shtëna me armë në këtë pjesë të Prishtinës, ku si pasojë një person ka mbetur i plagosur.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Sipas saj, i plagosuri është dërguar për tretman mjekësor.“Sot rreth orës 04:00, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në rrugën ” Lidhja e Pejës në Prishtinë.
Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.
Bazuar në të dhënat fillestare dyshohet se me armë zjarri është plagosur një person, i cili është dërguar për tretman mjekësor”, ka thënë Ahmeti.
Tutje sipas saj, hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për identifikimin dhe arrestimin e personit/ personave të dyshuar si dhe ndriçimin e plotë të rastit.