Energjia elektrike ndez përplasjen mes “qeverisë” dhe “opozitës” – LDK kërkon subvencione për bizneset, Rizvanolli mbron menaxhmentin

by engel

Një përplasje e re politike ka shpërthyer në Kuvendin e Kosovës me në qendër sektorin e energjisë elektrike – një fushë e cila vazhdon të jetë temë e debatit publik për shkak të rritjes së çmimeve dhe akuzave për keqmenaxhim dhe korrupsion.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kërkuar që të mos rriten çmimet e energjisë elektrike për qytetarët dhe bizneset, ose që të paktën këto fatura të subvencionohen nga shteti. Ajo ka akuzuar Qeverinë për dështim në menaxhimin e krizës energjetike dhe për lidhje me afera të dyshimta korruptive në sektorin e energjisë, përfshirë tenderë milionësh të ndarë për kompani që nuk i përmbushnin kriteret.

banner

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli më herë gjatë ditës ka dalur me një deklaratë publike ku ka akuzuar opoziten për mos zhvillimin e sektorit të energjisë elektrike në të kaluaren duke bërë të ditur se tani me qeverinë Kurti kanë filluar rigjenerimin dhe modernizimin e kapaciteteve prodhuese në Termocentralet e KEK-ut, duke u përpjekur të japë sinjale pozitive për tejkalimin e krizës energjetike.

Por kjo deklaratë është cilësuar si “propagandë” nga deputetja Bajrami, e cila në një reagim në Facebook ka hedhur akuza të rënda ndaj Rizvanollit, duke thënë se ajo nuk ka asnjë legjitimitet për të kritikuar opozitën derisa nuk i sqarohen dyshimet për përfshirjen e saj në ndarjen e tenderëve të KEK-ut përmes komunikimeve të brendshme në rrjete sociale si WhatsApp.

“Ju keni përgjegjësi direkte që gjatë mandatit tuaj energjia për konsumatorët mbi 800 kWh është shtrenjtuar për 128%. Dhe këtë nuk mund ta fshihni pas ZRrE-së, sepse e dimë kush i ka zgjedhur bordet dhe drejtuesit e institucioneve kyçe në sektorin e energjisë,” shkruan Bajrami.

Ajo ka shkuar më tej duke e ftuar publikisht ministren Rizvanolli në një debat përballë fakteve, duke e akuzuar për mbrojtje të interesave të grupeve të fuqishme të lidhura me “mafinë energjetike” – përmendje që përfshin edhe emra si Martini, Nagipi dhe një investitor grek, Georgios Peristeris, që pretendohet të jetë i afërt me deputetë të pozitës.

Në mungesë të një transparence më të gjerë rreth kontratave të energjisë dhe politikave tarifore, këto përplasje kanë ngritur shqetësime serioze për qytetarët dhe komunitetin e biznesit, që tashmë po përballen me barrën e rritjeve të çmimeve në një ekonomi të brishtë.

Opozita kërkon llogari. Qeveria mbron vendimet. E në mes të kësaj përplasjeje, konsumatori i zakonshëm mbetet më i godituri.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy