Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, gjatë vizitës së tij zyrtare në Tiranë, u shpreh në mënyrë të vendosur në mbështetje të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në një konferencë për shtyp krah kryeministrit Edi Rama, kreu i Elizesë theksoi se perspektiva e anëtarësimit deri në vitin 2027 nuk është më një dëshirë, por një realitet i arritshëm.
“Kemi dëshirë të shkojmë dhe më larg. Është vendi i Shqipërisë në BE që është i rëndësishëm. Dua të rishpreh bindjen e plotë për bashkimin e kontinentit europian, për t’i bërë ballë sfidave të përbashkëta. Shqipëria ka treguar shumë, ka bërë avancime shumë të mëdha. Udha e saj është e qartë drejt BE-së”, deklaroi Macron.
Sipas tij, Franca do të jetë gjithmonë në krah të Shqipërisë, për ta mbështetur në procesin e reformave, të cilat janë thelbësore për integrimin europian.
“2027-a nuk është një perspektivë, por një realitet”, u shpreh ai, duke nënvizuar se kjo datë duhet të shihet si një objektiv konkret për përmbushjen e agjendës europiane nga Shqipëria dhe për avancimin e saj drejt anëtarësimit të plotë në BE.
Macron falënderoi për mikpritjen shqiptare dhe vlerësoi marrëdhënien e fortë mes dy vendeve:
“Faleminderit për mikpritjen dhe miqësinë ndërmjet dy vendeve tona. Shqipëria tregon udhën në mënyrë të shkëlqyer”.
Në hyrje të fjalës së tij, presidenti francez përgëzoi kryeministrin Edi Rama për fitoren në zgjedhjet e 11 majit, duke e cilësuar rizgjedhjen e tij si një element kyç për stabilitetin dhe përparimin e Shqipërisë.
“Rizgjedhja juaj është shumë e rëndësishme, jo vetëm për ju por për të gjithë ne. Ky mandat do të na lejojë të vazhdojmë këto agjenda kaq ambicioze”, theksoi Macron.
Vizita e Macron në Shqipëri konsiderohet si një sinjal i qartë i mbështetjes së Francës për zgjerimin e BE-së drejt Ballkanit Perëndimor, në një moment kyç për të ardhmen gjeopolitike të kontinentit.