Një megaoperacion i gjerë antikriminal po zhvillohet që në orët e para të mëngjesit në disa qytete të Shqipërisë, në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet italiane dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Operacioni është përqendruar në qytetet Tiranë, Durrës, Fier dhe Vlorë, me pjesëmarrjen e forcave të shumta të Policisë së Shtetit dhe njësive speciale. Sipas burimeve mediatike, objektivi kryesor i këtij aksioni është goditja e disa grupeve të strukturuara kriminale, që dyshohet se janë të përfshira në trafik droge dhe aktivitete të tjera të krimit të organizuar.
Deri më tani janë lëshuar 52 urdhër-arreste, një pjesë e të cilave për zbatim jashtë territorit shqiptar. Të paktën 20 urdhër-arreste po ekzekutohen brenda vendit, ndërsa policia ka kryer kontrolle në dhjetëra banesa dhe ambiente të dyshuara.
Burime bëjnë të ditur se mes të ndaluarve apo të kërkuarve ka zyrtarë publikë, efektivë policie si dhe biznesmenë, të cilët dyshohet se kanë luajtur rol në skemat kriminale në fjalë.
Gjatë operacionit janë sekuestruar edhe pasuri të paluajtshme, kryesisht në zonat e Tiranës dhe Durrësit, në kuadër të hetimeve pasurore të lidhura me veprimtarinë kriminale të grupeve.
Autoritetet pritet të japin më shumë detaje në orët në vijim, ndërsa operacioni mbetet ende në zhvillim.