Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK) ka reaguar me indinjatë ndaj vendimit të fundit të Dhomave të Specializuara në Hagë, të cilat kanë refuzuar kërkesën për lirimin e përkohshëm të ish-krerëve të UÇK-së: Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Në një deklaratë të publikuar sot, OVL UÇK e cilëson këtë vendim si “një tjetër akt të padrejtësisë së vazhdueshme” që, sipas saj, po ushtrohet ndaj përfaqësuesve të luftës çlirimtare të Kosovës.
“Refuzimi për lirimin me kusht të bashkëluftëtarëve tanë është dëshmi e qartë se kjo gjykatë nuk po vepron mbi baza të drejtësisë, por mbi perceptime të njëanshme politike. Kjo përbën pengesë për përpjekjet tona për njohje të drejtë dhe ndërkombëtare të luftës sonë për liri,” thuhet në reagim.
Sipas OVL UÇK-së, trajtimi i ish-udhëheqësve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara nuk përputhet me standardet ndërkombëtare të drejtësisë dhe as me parimet e të drejtave të njeriut. Organizata shpreh shqetësimin e saj se po thellohet padrejtësia kundrejt atyre që kanë udhëhequr përpjekjen për çlirim dhe shtetformim të Kosovës.
“Ky vendim është një hap prapa në ndërtimin e drejtësisë dhe barazisë në raport me të kaluarën tonë. Trajtimi i padrejtë ndaj liderëve të luftës është sulm ndaj vetë dinjitetit të shtetit tonë dhe historisë sonë çlirimtare,” thuhet më tej në deklaratë.
OVL UÇK ka bërë thirrje për një reagim më të fortë institucional dhe ndërkombëtar, duke i kërkuar organizatave ndërkombëtare të drejtësisë dhe të drejtave të njeriut që të analizojnë me kujdes dhe pa paragjykime situatën e të akuzuarve.
“Ne do të qëndrojmë pranë tyre deri në fund dhe do të mbrojmë me vendosmëri vlerat e luftës sonë të drejtë, e cila është themeli i shtetësisë së Kosovës,” përfundon reagimi.
Vendimi i fundit i Dhomave të Specializuara ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik dhe politik në Kosovë, me shumë zëra që kërkojnë një vlerësim më objektiv të kontekstit historik dhe politik të luftës së UÇK-së dhe rolin e saj në lirinë e vendit.