Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, ka zhvilluar sot një takim me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend dhe për nevojën e krijimit të institucioneve të reja në nivel qendror.
Hamza ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook se gjatë takimit është theksuar rëndësia e funksionalizimit të institucioneve qeverisëse për të garantuar stabilitet dhe zhvillim në vend.
“Sot e prita ambasadorin britanik Jonathan Hargreaves, me të cilin bisedova për nevojën e krijimit të institucioneve të reja në nivelin qendror dhe për zhvillimet politike në vendin tonë,” ka shkruar Hamza.
Ai gjithashtu ka falënderuar Mbretërinë e Bashkuar për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, duke e cilësuar si një partnere strategjike të vendit.
“Britania e Madhe është partnere strategjike e Kosovës dhe i jemi shumë mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të saj,” thuhet në njoftimin e kryetarit të Mitrovicës.
Takimi vjen në një kohë kur skena politike në Kosovë po përballet me sfida në formimin e institucioneve të reja, duke e bërë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë edhe më të rëndësishëm.