Romelu Lukaku, një nga figurat kyçe të suksesit historik të Napolit këtë sezon, ka shprehur emocionet e tij pas fitores së titullit të katërt kampion në histori të klubit.
Në stadiumin “Maradona”, ku u zhvillua ceremonia madhështore, sulmuesi belg u shpreh krenar për arritjen e skuadrës:
“Jam shumë i emocionuar për skuadrën dhe tifozët. E meritojmë këtë titull sepse kemi punuar shumë dhe kemi fituar të gjithë së bashku. Edhe ata që nuk kanë luajtur, kanë dhënë kontributin e tyre.”
Gjatë ndeshjes vendimtare, Lukaku shfaqej shpesh duke ftuar shokët për qetësi, me një mësim që e mban mend nga fëmijëria:
“Finalja e Ligës së Kampionëve mes Bayern dhe United më mësoi se duhet të presësh gjithmonë vërshëllimën e fundit të arbitrit.”
I pyetur për garën kokë më kokë me Interin, ish-skuadrën e tij, Lukaku pranoi:
“Pas barazimit në shtëpi pata dyshime, por e njoh mirë Conten dhe gjithmonë kam besuar se do arrinim ta fitonim.”
Në fund, nuk mungoi një aludim për merkaton dhe mundësinë e transferimit të Kevin De Bruyne:
“A e kam telefonuar? Pa koment…”, tha ai me buzëqeshje, duke lënë derën hapur për një surprizë të madhe verore.