Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka lëshuar një alarm publik mbi atë që ajo e quan “korrupsioni më i madh” që po ndodh aktualisht në Kosovë – ai në sektorin e energjisë. Përmes një postimi në Facebook, Bajrami i ka bërë thirrje Prokurorisë së Kosovës të nisë menjëherë hetime të thelluara në të gjitha institucionet dhe nivelet e lidhura me këtë sektor jetik.
Bajrami thekson se dështimi për të zbardhur këtë skemë do të ketë pasoja shkatërruese për ekonominë e vendit dhe do të varfërojë çdo familje.
Pikat Kryesore për Hetim sipas Deputetes Bajrami:
1 Korporata Energjetike e Kosovës (KEK): Deputetja kërkon hetime mbi arsyet e kryerjes së remonteve gjatë dimrit, si dhe pyet nëse energjia është gjeneruar më shumë gjatë verës dhe natës (kur konsumi është më i ulët) dhe më pak gjatë ditës, duke ndikuar në rritjen e importit.
2 Ajo kërkon gjithashtu hetim të tenderëve dhe ndikimin e tyre në kapacitetet gjeneruese dhe rritjen e importit.
3 Qeveria/Ministria e Ekonomisë: Bajrami kërkon hetime për ndërhyrjet politike në KEK, Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) dhe Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT).
4 KOSTT: Duhet hetuar si është e mundur që çmimet në Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike (ALPEX) janë më të shtrenjta se sa në Bursën Hungareze të Energjisë Elektrike (HUPX) gjatë tërë vitit 2024 dhe parashikimet për vitin 2025. Po ashtu, kërkon sqarim se si është lejuar importi i energjisë me çmim transporti deri në 800 euro për MWh.
5 ZRrE: Si organ licencues për KEK-un, KOSTT-in dhe të gjithë operatorët privatë, edhe ZRrE duhet të hetohet për rolin e saj.
NOA dhe Lidhjet me Serbinë: Deputetja kërkon hetim të thelluar për NOA-në, si tregtari më i madh i energjisë, dhe lidhjet e kësaj kompanie me Serbinë dhe çdo palë tjetër përfituese në Kosovë.
Skandal me Përmasa “Watergate”
Bajrami e quan këtë skandal si “Watergate” të Kosovës, duke theksuar se kushdo që e zbardh këtë skemë do të hyjë në historinë e vendit si “patrioti më i madh i pasluftës”. Ajo paralajmëron se heshtja ndaj këtij skandali do të sjellë shkatërrimin ekonomik dhe varfërimin e çdo familjeje në Kosovë.
Deputetja thekson pasojat financiare të rritjes së çmimit të energjisë, duke përmendur mbi 700 mijë njehsorë/matës të energjisë dhe rritje prej 128% e deri në 260% për biznese. “Krejt këto kanë çmimin e të ardhmës së këtij vendi – nuk guxojmë me u bë peng i këtyre përfituesëve, andaj na duhet reagim!” shkruan Bajrami.
Ajo përfundon duke falënderuar gazetarët që kanë shpërfaqur fakte shokuese, duke “hapë sytë me gisht” për atë që po ndodh në sektorin e energjisë.