Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar ashpër ndaj konkursit të fundit të Policisë së Serbisë, ku sipas tij, nuk është pranuar asnjë shqiptar nga Lugina e Preshevës, pavarësisht aplikimeve nga kjo zonë.
Në një postim në Facebook, Sveçla theksoi kontrastin me përfshirjen e komuniteteve në Policinë e Kosovës. “10% e totalit të Policisë së Kosovës janë nga radhët e komuniteteve dhe mbi 50% prej tyre janë nga komuniteti serb. Në tri proceset e fundit të rekrutimit, të dedikuara për komunitetet, janë inkuadruar 210 pjesëtarë të rinj nga komuniteti serb”, shkroi ai.
Në të kundërt, ministri tha se në konkursin e fundit të Policisë së Serbisë, nga 43 policë të pranuar në Preshevë dhe Bujanoc, asnjëri nuk është shqiptar. “Po ashtu, nga 22 policë sa janë në Medvegjë, asnjëri prej tyre nuk është shqiptar”, shtoi Sveçla.
Ai e cilësoi këtë si dëshmi të qasjes diskriminuese të Serbisë ndaj shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës. “Ky spastrim etnik që Serbia po ua bën në çdo formë shqiptarëve që jetojnë në Luginë të Preshevës, duke ua shkelur rrjedhimisht çdo të drejtë elementare të tyre, duhet ndëshkuar e ndalur menjëherë nga faktori ndërkombëtar”, përfundoi ai.