Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka munguar në ceremoninë e 30-vjetorit të Marrëveshjes së Dejtonit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një vendim që është komentuar gjerësisht si përpjekje për t’iu shmangur pyetjeve dhe përballjeve të pakëndshme me liderët e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe zyrtarë ndërkombëtarë.
Ekspertë dhe analistë nga Serbia vlerësojnë se ky veprim është edhe pasojë e skandalit të fundit të Vuçiçit në Florida, por edhe një sinjal i izolimit të tij diplomatik, ku, sipas tyre, i kanë mbetur vetëm Brukseli dhe Londra si partnerë potencialë.
Sreqko Gjukiq, ish-diplomat serb, thekson se ka dy arsye kryesore pse Vuçiç e ka shmangur udhëtimin në SHBA.
“Së pari, nuk ka garanci që ai do të takohet me Donald Trumpin pas debaklit në Miami. Së dyti, do të duhej të përballej me liderët e Bosnjës dhe përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë në një ambient politik aspak të favorshëm për të”, ka deklaruar DukiQ për mediat serbe, shkruan Danas.
Në të njëjtën linjë është edhe Miroslav Paroviq, kryetar i Lëvizjes për Liri Popullore, i cili thotë se pas incidentit në Florida dhe aferës së falsifikimit të dokumenteve për të krijuar një “Shtab të Përgjithshëm”, rruga e Vuçiqit drejt Trumpit është bërë shumë më e vështirë.
Ai përmend gjithashtu stagnimin e marrëdhënieve me Rusinë dhe mungesën e një kontrate të re për gaz me Moskën, si tregues të dobësimit të pozitës ndërkombëtare të Vuçiqit.
“Vuçiqit i kanë mbetur vetëm Brukseli dhe Londra si partnerë – dhe këto nuk janë mbështetje të forta për sfidat që e presin”, ka deklaruar Paroviq.
Kosova, ndërkohë, mbetet një prej çështjeve që rëndojnë më së shumti mbi Vuçiçin në raport me bashkësinë ndërkombëtare.
Dragan Shormaz, themelues i Këshillit Euro-Atlantik të Serbisë, thekson se pyetjet për përkrahjen ndaj liderit të Republikës Srpska, Milorad Dodik, prania në paradën ushtarake në Moskë, si dhe akti terrorist në Banjskë, ku u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku nga një grup i armatosur serb, janë tema që Vuçiç do të donte t’i shmangte me çdo kusht në Uashington.
“Çështja e Kosovës është gjithmonë temë në Amerikë, veçanërisht pas aktit terrorist në Banjska, që është konsideruar si një përshkallëzim i rrezikshëm”, ka thënë Shormaz.
Sipas Dushko Lopandiq, nënkryetar i Qendrës së Serbisë (SRCE), kriza e brendshme politike në Serbi e ka ulur ndjeshëm autoritetin ndërkombëtar të Vuçiqit, i cili tashmë po përballet me vështirësi të shumta për të siguruar mbështetje ndërkombëtare në çështje kyçe si Bosnja, Kosova dhe energjia.
Vuçiq nuk ka komentuar zyrtarisht mungesën e tij në SHBA, por sinjalet nga qarqet diplomatike dhe politike serbe flasin për një president në mbrojtje, që po e ka gjithnjë e më të vështirë të menaxhojë presionet ndërkombëtare dhe pasojat e skandaleve të brendshme dhe ndërkombëtare./Telegrafi