Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka njoftuar me krenari se kadeti Arlind Sadiku ka diplomuar me sukses në Akademinë Ushtarake të West Point, një nga institucionet më prestigjioze ushtarake në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo arritje shënon një moment të rëndësishëm për FSK-në dhe përfaqëson një dëshmi të angazhimit të Kosovës për ngritjen e kapaciteteve të saj mbrojtëse.
Në ceremoninë e diplomimit, ku morën pjesë kadetë nga vende të ndryshme demokratike të botës, ishte i pranishëm edhe Presidenti Amerikan, Donald Trump. Ai iu drejtua kadetëve dhe të pranishmëve, duke theksuar rëndësinë e shkollimit në këtë akademi të lartë dhe detyrat e rëndësishme që i presin liderët e rinj në rrugëtimin e tyre ushtarak. Presidenti Trump përgëzoi kadetët për punën, angazhimin dhe diplomimin e tyre të suksesshëm.
Siç theksohet në njoftimin zyrtar të FSK-së, kadet Sadiku do të vazhdojë punën e tij në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Qëllimi i tij është të kontribuojë në ngritjen dhe zhvillimin e FSK-së, duke sjellë standardet më të larta të vendeve partnere dhe duke shpërndarë njohuritë e fituara tek pjesëtarët e tjerë të Forcës.
Diplomimi i Arlind Sadikut në West Point është një tregues i qartë i përkushtimit të Kosovës për të ndërtuar një forcë profesionale dhe moderne, të aftë për të përballuar sfidat e sigurisë rajonale dhe globale. Kjo ngjarje thekson gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, sidomos me SHBA-në, në zhvillimin dhe avancimin e kapaciteteve ushtarake të Kosovës.