Stërvitja shumëkombëshe “Defender Europe ’25” ka nisur zyrtarisht sot në orët e para të mëngjesit në Shqipëri.
Duke ndarë pamje në rrjetet sociale nga nisja e kësaj stërvitjeje, kryeministri Edi Rama e cilësoi atë si një nga më të mëdhatë e dekadës së fundit. Sipas tij Shqipëria luan një rol strategjik në garantimin e suksesit të operacioneve dhe zhvillimeve të planifikuara.
“Kjo stërvitje zhvillohet nën udhëheqjen e Komandës Europiane të SHBA-së (EUCOM), në bashkëpunim të ngushtë me vendet aleate dhe partnere të NATO-s. Shqipëria, si një nga vendet pritëse kryesore, luan një rol strategjik në garantimin e suksesit të operacioneve dhe zhvillimeve të planifikuara”, shkruan Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se “Defender Europe ’25” synon rritjen e ndërveprimit mes forcave të armatosura aleate, forcimin e gatishmërisë ushtarake dhe aftësive për të reaguar shpejt ndaj çdo kërcënimi të mundshëm në hapësirën euroatlantike”.
Trupat e Forcës Tokësore shqiptare u nisën në orët e para të mëngjesit të sotëm, nga garnizoni i Zall-Herrit drejt Qendrës së Stërvitjes në Bizë, duke shënuar fillimin zyrtar të stërvitjes së përbashkët “Defender Europe ‘25”.