Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami, ka reaguar me tone ironike ndaj zhvillimeve të fundit në Ministrinë e Bujqësisë, ku ministri në detyrë, Faton Peci, është duke u intervistuar nga Prokuroria Speciale në cilësinë e të dyshuarit.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Behrami ka përdorur një citat ironik që aludon në deklaratat e dikurshme të liderit të Vetëvendosjes, duke thënë:
“Hajnia nuk është më në pyetje as në pikëpyetje. Nga i pari deri te i fundit po vjedhshin. Veç kur po i nxojnë, qysh ka lë fjalë Bekë Berisha: ‘Po u idhnojshin.’”
Deklarata e Behramit vjen pas një varg reagimesh që pasuan aksionin e Prokurorisë Speciale, e cila dyshon se ministri Peci ka dhënë me qira për 20 vjet një impiant publik për mbetjet shtazore kompanisë “LIP KS & IT SH.P.K”, pa procedurë ankandi publik.