Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka kërkuar që Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) të japë sqarime të detajuara lidhur me rastin që përfshin Ministrinë e Bujqësisë, dhe që ka të bëjë me dhënien me qira të një fabrike për përpunimin e mbetjeve shtazore.
Në një reagim publik në Facebook, Miftaraj ka theksuar se është thelbësore që opinioni të njoftohet qartë për të gjitha aspektet e këtij rasti, përfshirë edhe pretendimet e bëra nga ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, i cili ka përmendur rolin e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe Ministrisë së Drejtësisë në këtë proces.
“Nuk po konstatojmë fajësinë apo pafajësinë e askujt,” shkroi Miftaraj, duke shtuar se transparenca e institucioneve të drejtësisë është e domosdoshme për të ruajtur besimin publik dhe për të larguar çdo hije dyshimi që lidhet me dhënien me qira të pronës publike.
Sipas informacioneve zyrtare, Peci po intervistohet nga Prokuroria Speciale në cilësinë e të dyshuarit. Dyshimet lidhen me një vendim të tij për t’ia dhënë me qira për 20 vjet, pa ndonjë ankand publik, kompanisë “LIP KS & IT SH.P.K” një impiant publik për përpunimin e mbetjeve shtazore.
Ky zhvillim ka ngritur shqetësime për procedurat e ndjekura dhe për transparencën e vendimeve që përfshijnë pasuri publike. IKD kërkon që PSRK të qartësojë edhe nëse ka ndonjë rol zyrtar apo ndikim institucional nga emrat e përmendur nga ministri Peci, në mënyrë që hetimet të jenë të gjithanshme dhe pa dyshime për motivime politike apo personale.