Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Altin Krasniqi, ka deklaruar publikisht se nuk do të mbështesë kandidaturën e Albulena Haxhiut për ndonjë funksion institucional, pavarësisht formës së votimit – të hapur apo të mbyllur.
Në një reagim në Facebook, Krasniqi tha se qëndrimet e tij do të jenë gjithmonë të hapura, duke e krahasuar këtë transparencë me qëndrimet e të atit. Ai e cilësoi Haxhiun si një figurë “përçarëse” dhe theksoi se nuk do të japë votën e tij për asnjë kandidat që nuk përfaqëson unitet politik.
“Partia e parë, e cila sot kërkon konsensus, është po ajo që ka bllokuar konstituimin e Kuvendit,” shkroi Krasniqi, duke iu referuar Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).
Ai ftoi mazhorancën të tërheqë kandidaturën e Haxhiut dhe të propozojë një emër që mund të bashkojë spektrin politik. Në të kundërtën, sipas tij, çdo tentativë për të imponuar një proces të cilin e cilëson “të paligjshëm dhe të ndërtuar mbi marrëveshje të fshehta me Listën Serbe” do të përbënte një mashtrim dhe cenim të demokracisë.