Mynih, 31 maj 2025 – Paris Saint-Germain ka shkruar historinë në futbollin evropian duke fituar për herë të parë Ligën e Kampionëve me një triumf spektakolar 5-0 ndaj Inter Milan, në një natë që do të kujtohet gjatë në “Allianz Arena” të Mynihut.
Skuadra e trajnerit Luis Enrique jo vetëm që siguroi trofeun më të rëndësishëm evropian, por kompletoi edhe një tripletë historike, pas triumfeve në kampionat dhe Kupën e Francës. Fitorja me pesë gola diferencë ndaj Interit është gjithashtu fitorja më e thellë ndonjëherë në një finale të Ligës së Kampionëve.
PSG kishte mposhtur gjigantë si Manchester City, Liverpool, Aston Villa dhe Arsenal në rrugën drejt finales, por presioni i madh për të fituar për herë të parë titullin nuk u reflektua në performancën e tyre – përkundrazi, parizienët dominuan që nga minuta e parë.
Inter nuk pati asnjë përgjigje.
Qysh në minutën e 12-të, PSG e çau me lehtësi mbrojtjen italiane. Vitinha dha një pasim të shkëlqyer për Desire Doue brenda zonës, i cili në vend që të godiste vetë, tregoi pjekuri të jashtëzakonshme duke asistuar për Achraf Hakimi, që e çoi topin në rrjetë për 1-0.
Nga aty, gjithçka ishte spektakël.
Desire Doue shënoi dy herë, duke konfirmuar veten si një nga yjet në ngjitje të futbollit europian, ndërsa Khvicha Kvaratskhelia dhe talenti Senny Mayulu kompletuar fitoren me nga një gol secili.
Fitorja e PSG-së jo vetëm që përmbushi ëndrrën e klubit për të fituar Ligën e Kampionëve, por e bëri këtë në mënyrën më dominuese të mundshme – një sinjal i qartë se klubi francez është gati të nisë një epokë të re në futbollin europian.