Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka zhvilluar sot takimin e parë me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen. Takimi u fokusua në temat kyçe të procesit të dialogut, pengesat e shkaktuara nga pala serbe dhe hapat e ardhshëm për normalizim të marrëdhënieve.
Sipas Bislimit, ishte planifikuar edhe një takim trilateral me pjesëmarrjen e palës serbe, por ai nuk u realizua për shkak të vonesave të delegacionit serb në Vjenë.
Në deklaratën e tij pas takimit, Bislimi tha se Sorensen paraqiti qasjen që do të ndjekë në dialog, si në nivelin e kryenegociatorëve, ashtu edhe në takimet e nivelit të lartë që pritet të udhëhiqen nga komisionerja e BE-së, znj. Kallas.
“Diskutuam për një sërë çështjesh urgjente që kërkojnë përgjigje nga Brukseli. Ndër to janë pengesat në menaxhimin e integruar të kufirit, ku Serbia nuk ka përmbushur obligimet për ndërtimin e tri pikave kufitare. Po ashtu kemi kërkuar hapjen e pikave sezonale për diasporën në Dobrosin, Muhovc dhe Breznicë,” tha Bislimi.
Ai përmendi edhe mosnjohjen nga Serbia të certifikatave fitosanitare e veterinare të Kosovës, si dhe bllokimin e ndihmave për fermerët shqiptarë në Luginën e Preshevës.
“Serbia vazhdon të vendosë barriera të qëllimshme në linjat e interkoneksionit dhe nuk respekton marrëveshjen për energjinë. Si rezultat, Kosova humb miliona euro në vit,” theksoi ai.
Ndër çështjet e ngritura ishin edhe fushata e dezinformimit të Serbisë ndaj partnerëve ndërkombëtarë dhe presioni mbi komunitetin serb në Kosovë.
Megjithë vështirësitë, Bislimi tha se Kosova nuk duhet të humbasë rastet për të përfituar nga procesi i dialogut, pavarësisht situatës së brendshme politike. Ai bëri thirrje për konstruktivitet dhe përkushtim nga të dyja palët në vijim të bisedimeve.