Në emisionin DPT te Fidani, deputeti dhe nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka dhënë një deklaratë të fortë ndaj sjelljes politike të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë procesit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Haziri e përshkroi Kurtin si politikan të paqëndrueshëm dhe të pabaesueshëm, duke theksuar se kreu i VV-së ndryshon vazhdimisht qëndrimet dhe qasjen ndaj partnerëve të mundshëm politikë. Sipas tij, Kurti ka krijuar një model sjelljeje të papërgjegjshme politike, që nga koha kur për herë të parë ka hyrë në skenën zgjedhore.
“Kurti nuk ka zgjedhur mjetet për të ardhur në pushtet. Ai ndërron fjalët paradite e pasdite, punon me standarde të dyfishta. Njëherë i fton partitë për bashkëpunim, ndërkohë pas shpine takohet veçmas me deputetë për t’i joshur me pozita,” – deklaroi Haziri.
Ai gjithashtu kritikoi mënyrën se si Kurti ka menaxhuar procedurat parlamentare, duke e akuzuar për mungesë koherence dhe sinqeritet institucional.
“Fillimisht mbështeti votimin e hapur, tani po kërkon votim të fshehtë. Njëherë mbron një procedurë parlamentare, pastaj sillet me një tjetër që bie ndesh me atë që vetë ka propozuar më herët. Kjo tregon mungesë serioziteti,” – shtoi nënkryetari i LDK-së.
Sipas Hazirit, Kurti po bllokon procesin e konstituimit të qeverisë me qëllim që të shmangë dështimin për të formuar shumicën parlamentare. Ai nënvizoi se Kurti ende nuk i ka siguruar votat e mjaftueshme për të formuar qeverinë, dhe për aq kohë sa kjo situatë vazhdon, po pengon që Kuvendi të ecë përpara me konstituimin e institucioneve.
Në përmbyllje, Haziri theksoi se fushata negative e Kurtit në zgjedhjet e fundit nuk duhet të jetë befasi për askënd, pasi, sipas tij, kjo ka qenë metodologji e përsëritur në të gjitha zgjedhjet që nga përfshirja e tij në politikë.
Këto deklarata të forta vijnë në një moment kyç për skenën politike në Kosovë, ku negociatat për krijimin e institucioneve të reja po zvarriten dhe vendi ndodhet përballë pasigurive të thella politike.