Kryetari aktual i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, do të kandidojë sërish për një mandat të ri katërvjeçar në krye të kësaj komune. Vendimin e ka konfirmuar kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i cili theksoi se Këshilli i Përgjithshëm i Degës së Suharekës e ka propozuar unanimisht Muharremajn për të vazhduar punën e nisur.
Haradinaj vlerësoi se gjatë mandatit të tij, Muharremaj ka shënuar një transformim të dukshëm në shërbime, infrastrukturë dhe zhvillim të përgjithshëm të komunës, duke e kthyer Suharekën në një model të qeverisjes së mirë dhe të përgjegjshme.
“Qytetarët e Suharekës kanë përjetuar një ndryshim pozitiv dhe të prekshëm në shumë fusha, falë udhëheqjes së Bali Muharremajt. Ai ka dëshmuar përgjegjësi dhe lidership që na bën krenarë të gjithëve,” tha Haradinaj në një komunikatë për media.
Sipas kreut të AAK-së, rikandidimi i Muharremajt është një hap i natyrshëm për të siguruar vazhdimësinë e projekteve dhe zhvillimin e mëtejshëm të komunës.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thekson se komunat nën udhëheqjen e saj janë dëshmuar si shembuj të qeverisjes së ndershme dhe transparente, duke ofruar shërbime cilësore për qytetarët dhe duke nxitur zhvillimin ekonomik lokal.