Ish-ministrja e Arsimit në Shqipëri, Besa Shahini, ka shpallur zyrtarisht kandidaturën për kryetare të komunës së Prishtinës në zgjedhjet lokale të këtij viti. Përmes një video-mesazhi të publikuar në Facebook, Shahini u shpreh se kryeqyteti ka nevojë për një “ndryshim radikal” dhe bëri thirrje për një mobilizim qytetar në përpjekjen për transformimin e Prishtinës.
“Para katër vitesh jam kthyer nga Tirana të jetoj sërish në Prishtinë, një qytet që e dua fort. Por ky qytet ka marrë një kahje të gabuar në zhvillimin e vet: është mbuluar nga betoni, mungojnë hapësirat e gjelbra, është i papastër dhe aspak i përshtatshëm për fëmijët,” tha Shahini në videon që tashmë po shpërndahet gjerësisht në rrjetet sociale.
Ajo theksoi se kandidimi i saj vjen si pjesë e një përpjekjeje për të rikthyer cilësinë e jetës në kryeqytet dhe ftoi qytetarët të bashkohen në këtë iniciativë. “Në kahjen e ndryshimit, unë dua të jem pjesë e këtij ndryshimi,” u shpreh ajo. “Ju ftoj të më bashkoheni – të gjithë ju që ndjeni një shqetësim për mënyrën se si po zhvillohet ky qytet.”
Shahini nuk ka bërë të ditur ende se me cilën parti do të garojë, apo nëse do të kandidojë si e pavarur. Megjithatë, fakti që është bashkëshortja e Dardan Molliqajt – kryetarit aktual të Partisë Socialdemokrate të Kosovës (PSD) – ka nxitur spekulime për një mundësi që ajo të përfaqësojë këtë subjekt politik ose të ketë mbështetjen e tij në mënyrë indirekte.
Kandidatura e Shahinit pritet të sjellë dinamika të reja në garën për Prishtinën, një komunë gjithmonë e rëndësishme në skenën politike të vendit dhe shpesh vendimtare për karrierat e liderëve politikë. Komentet dhe reagimet në rrjetet sociale tregojnë një interes të lartë për kandidaturën e saj, veçanërisht në mesin e qytetarëve të rinj dhe profesionistëve urbanë, por nuk mungojnë as debatet për të kaluarën e saj politike në Shqipëri.
Zgjedhjet lokale në Kosovë pritet të mbahen në vjeshtën e këtij viti, ndërsa pritet që në javët në vijim të bëhen publike edhe emrat e tjerë të kandidatëve që do të synojnë drejtimin e kryeqytetit.